Lajme
Nga sot shqiptarët udhëtojnë pa viza drejt Azerbajxhanit
Demokracia
18:21 | 15 Qershor 2024

Share:

Intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit preku një tjetër dimension me vizitën e Komitetit të Përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan këtë javë në Baku.

Në takimin e radhës mes Komitetit të Përbashkët u diskutua gjerësisht mbi mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve në disa sektorë të rëndësishëm, duke nisur nga turizmi, shëndetësia, arsimi dhe deri tek digjitalizimi dhe konfirmuar angazhimin e përbashkët të të dyjave vendeve që në takimin e radhës të flitet mbi rezultate konkrete në të gjitha fushat ku janë evidentuar mundësitë për të punuar së bashku, me ekonominë në plan të parë.

Gjatë kësaj vizite u diskutua edhe dakordësimi i zbatimit të projektit pilot të gazifikimit të Korçës, terminali i rigazifikimit në Gjirin e Korçës si edhe mundësia e pjesëmarrjes së kompanive nga të dyja vendet në projekte të energjisë së rinovueshme.

Por lajmi më i rëndësishëm dhe i prekshëm në këto orë është ai i hyrjes në fuqi të marrëveshjes së heqjeve të vizave, transmeton albanianpost.

Pavarësisht se marrëveshja ishte nënshkruar në Baku që në 1 mars nga zëvendës/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Besart Kadia dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Azerbajxhanit, Fariz Rzayev, Ambasada e Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë njoftoi se ajo do të hyjë zyrtarisht në fuqi këtë të shtunë, datë 15 qershor.

Kështu, qytetarët shqiptarë dhe ata azerbajxhanas me pasaporta të zakonshme do të kenë mundësi që prej kësaj të shtune të udhëtojnë pa regjim vizash, duke i ofruar një lehtësi të mëtejshme atyre për të vizituar vendet përkatëse.

Një lajm i tillë hap mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve, raportet e të cilave kanë shënuar një hov të rëndësishëm në forcimin konkret të bashkëpunimit në veçanti gjatë vitit të fundit, që shënoi edhe hapjen e ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë dhe në pritje këtë vjeshtë të hapjes edhe të ambasadës së Shqipërisë në Baku.

Të ngjashme