Lifestyle
Yoga me Dodonën: Nga palestra te mësimet e yoga-s
Demokracia
15:33 | 24 Janar 2021

Share:

Gjatë viteve të fundit, praktika të ndryshme me prejardhje nga Lindja e largët si yoga e meditimi, kanë kthyer vëmendjen te teknikat që kanë për qëllim harmoninë mes mendjes dhe trupit, fizikes dhe spirituales.

Izolimet dhe kufizimet e nisura vitin e kaluar për shkak të pandemisë, prishën rendin e zakonshëm të rutinave tona, daljeve, socializimit, duke na shtyrë kështu të përballemi me veten dhe me anë të skajshme të personalitetit tonë, nën presionin e ankthit prej një pandemie globale që arriti të çrregullojë ritmin e zakonshëm të botës. Shumica e këshillave për të përballuar këtë presion sugjeronin aktivitet fizik, ushtrime të llojeve të ndryshme, mes të cilave yoga ishte kryesorja. Mësuese të ndryshme të kësaj praktike online fituan një popullaritet të madh, duke arritur kështu numër jashtëzakonisht të madh klikimesh për shumë pak kohë, raporton Demokracia.com

Pavarësisht që benefitet e yoga-s janë pranuar qoftë nga praktikuesit e qoftë edhe nga hulumtime të ndryshme, ende ka njerëz që e refuzojnë këtë praktikë dhe konsiderojnë se është vetëm për njerëz spiritual, duke favorizuar kështu ushtrime që marrin më pak kohë dhe premtojnë rezultate fizike në një kohë më të shkurtër.

Për Dodona Gashin, një mësuese e yogës dhe praktikuese prej disa vitesh, takimi i parë me yoga-n, nuk ishte përzgjedhje e saj primare.

“Kam qenë shumë aktive në gym, kam vrapuar, por pastaj kam pësuar një lëndim. Nga një person shumë aktiv për një moment jam bërë person me aktivitet fizik të reduktuar”, thotë Dodona në një intervistë për Demokracia.com

Ajo nisi ushtrime të yoga-s si mundësi për të bërë lëvizje më të lehta gjatë rikuperimit. 

“Në fillim nuk e kam kuptuar, më është dukur diçka shumë e ngadaltë për durimin tim. Kam menduar se nuk kam kohë. Që nuk e kam një orë në ditë për veten time, thjeshtë të praktikoj lëvizjet dhe të marr frymë. Që nuk i kam 10 minuta për të qëndruar në savasana (e shtrirë)”.

Për dallim nga shumica e njerëzve që përfundojnë duke dhënë mësime yoga, Dodona nuk ka qenë asnjëherë njeri spiritual.

“Edhe pasi fillova të bëj yoga çdo ditë, në shumicën e rasteve më duhej ta motivoja shumë veten për të shkuar nëpër klasa. Por, me kohë fillova të shoh benefitet nga praktimi i yoga-s”, tregon ajo. “Në fillim rezistoja, nuk mund të pranoja një prej gjërave kryesore – që kur ne fillojmë të bëjmë yoga, për dallim me të gjitha ushtrimet tjera që zakonisht stimulojnë idenë e maksimumit tënd, yoga na shtyn të lëmë egon tonë mënjanë, sepse egoja është armiku ynë kryesor”.

“Në fillim, kur nuk arrija të bëja ndonjë pozë të yoga’s, ishte egoja ime që lëndohej, sepse unë isha aq e mirë në palestër. Më dukej e pabesueshme që unë nuk mund të bëja disa prej lëvizjeve. Madje edhe kur instruktorja më korrigjonte, unë preferoja të mendoj që e kishte gabim. Apo se trupi im është i ndërtuar ndryshe dhe fizionomia ime nuk i lejon disa lëvizje. Kjo kishte të bënte me egon time dhe refuzimin për të lëshuar kontrollin, një tjetër praktikë që synon të na mësojë yoga”.

Mirëpo pranimi për Dodonën erdhi po aq natyrshëm sa edhe refuzimi. Ajo filloi të vërejë që po ndihet më e qetë, më e relaksuar dhe ndjesia e mirë për veten rritej duke i dhënë vetëbesim dhe dashuri për trupin e saj.

“Filloi të më pëlqente. Prej aty fillova ta shoh ndryshe yoga-n. Yoga është sikur vallëzim. Një lëvizje përplot me hir”, e përshkruan Dodona yoga-n.

Stresi gjatë ditës na krijon nyje në muskuj dhe trupi ynë fillon të bllokohet. Përmes lëvizjeve të yoga-s muskujt tonë fillojnë të lirohen dhe ndjehemi sikur po çlirohemi nga ndonjë peshë. Kur marrim frymë, i dërgojmë sinjale qetësuese trurit. Truri gjatë frymëmarrjes qetësohet dhe arrin të përballojë stresin më me lehtësi. 

 Yoga është për të gjithë

“Arsyeja pse kam vendosur të bëhem mësuese e yoga-s është sepse i kuptoj ata që mendojnë që yoga nuk është për ta, që mendojnë se nuk kanë fleksibilitet, koncetrim, sepse yoga duhet të jetë për të gjithë, jo vetëm për ata që janë elastikë apo të qetë apo spiritualë. Mendoj që di si t’ju qasem njerëzve që mendojnë se yoga është vetëm për një lloj të caktuar njerëzish. Sepse yoga është për të gjithë”.

E entuziazmuar prej pasionit të saj të ri, Dodona vendos të shkojë në një shkollë për t’u bërë mësuese e yoga-s në Greqi.

“E pagova depozitën për shkollën me datë 1 prill edhe u ndjeva shumë e entuziazmuar dhe e përmbushur shpirtërisht. Dola të ecja në Gërmi dhe pastaj nisi të bjerë shi. Unë fillova të vrapoj dhe u rrëzova dhe e theva dorën. Nuk ishte thyerje e lehtë. Përfundova duke shkuar me ndihmë të shpejtë në spital. Dhe e mbajta dorën 2 muaj në allçi”. 

“Për shumë njerëz kjo mund të ishte shenjë që duhet të ndalen dhe se kjo gjë nuk ishte për ta. Nuk është që nuk e kam menduar edhe këtë. Prapë më është dashur të filloj fizioterapi. Mirëpo, pas një kohe, unë e kontaktova shkollën dhe vendosa të shkoj me dorën e sapodalë nga allçia”.

Arsyeja pse ajo vendosi të shkojë me një dorë të lënduar është fakti që si yoga teacher ajo nuk e humbet kurrë aftësinë për të mësuar, pavarësisht nëse lëndon ndonjë gjymtyrë. Shkolla ju përgjigj pozitivisht dhe ajo u bë mësuese.

Pse duhet praktikuar yoga?

“Nëse do të më pyesje para dy vitesh se pse duhet praktikuar yoga, përgjigja ime do të ishte fleksibiliteti, qetësimi i mendjes, përmirësimi i tretjes, frymëmarrjes, që me të vërtetë janë benefite të provuara të yoga”, përgjigjet mësuesja e yoga-s.

“Mirëpo përgjigja ime sot është përtej këtyre benefiteve, se përmes  yoga-s rrisim nivelin e energjisë tonë, nxitet qarkullimi i gjakut, jemi më të qetë, trupi merr forcë dhe jemi më të shëndetshëm”, përfundon Dodona./Demokracia.com

Të ngjashme