Më 31 korrik të këtij viti, serbët në veri të vendit bllokuan të gjitha rrugët që të çonin për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Ky bllokim i tyre erdhi si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit me targat dhe dokumentet e identifikimit me Serbinë.
Një ditë para se të hynte në fuqi masa e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet e identifikimit, kryeministri Albin Kurti u shpreh i bindur që nuk do të ketë kurrfarë mundësie për destabilizim të situatës.
“Nuk ka kurrfarë vendi për tension, s’ka kurrfarë mundësie për destabilizim. Sepse, po bëhet diçka legjitime, legale. Ata që flasin për dhunë, për bllokime, për destabilizim e për tensione, flasin për vete, jo për neve”, kishte deklaruar Kurti gjatë ditës së 31 korrikut, shkruan Demokracia.com.
Por, pak orë më vonë, situata në veri të Mitrovicës ishte tensionuar, pasi që serbët tashmë vetëm i kishin bllokuar të gjitha rrugët që të çonin për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Duke e parë këtë situatë, Kurti kishte nisur pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe pak para orës 00:00, ai doli me njoftim se ishte shtyrë deri më 1 shtator vendimi për masën e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe regjistrimin e automjeteve të qytetarëve serbë që janë ilegale në Kosovë.
I gjithë ky vendim erdhi vetëm pas takimit që Kurti kishte me ambasadorin amerikan Jeffery Hovenier.
Por, krejt të kundërtën tash po e deklaron Kurti në mediat botërore. Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ai thotë se rreziku për një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë.
“Rreziku i një konflikti të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Unë do të isha i papërgjegjshëm nëse do të thosha të kundërtën, veçanërisht pasi bota ka parë se çfarë ka bërë Rusia me Ukrainën”, ka deklaruar Kurti për gazetën italiane “La Repubblica”, pas protestave të serbëve në ditët e fundit. Arsyeja e këtyre trazirave, thotë Kurti, vjen nga shtatori i vitit 2021, kur “në frymën e reciprocitetit vendosa të vendos targa të përkohshme për serbët që hyjnë në Kosovë dhe ata u përgjigjën duke fluturuar ‘Mig29’ përgjatë kufirit”.
Tashmë Kurti e ka shtyrë deri më 1 shtator hyrjen në fuqi të dispozitave për dokumentet dhe targat që kanë nxitur protesta në veri të Kosovës.
“Në javën e tretë të gushtit do të ketë një takim në Bruksel mes nesh dhe serbëve për aspektet e përgjithshme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shpresoj se do të ndihmojë në uljen e tensionit”, thotë Kurti në këtë intervistë.
“Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndryshuar”, shton ai.
“Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të Kremlinit për pansllavizmin, ishte Ukraina. Nëse do të kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë shanset që të zhvillohet një luftë e tretë në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti në Kosovë, do të jenë shumë të larta”.
Kryeministri kosovar ka thënë se është Moska ajo që komandon Beogradin në marrëdhëniet me Prishtinën.
“Më 25 nëntor, presidenti serb Vuçiq ishte në Soçi: ishte takimi i nëntëmbëdhjetë me Putinin në dhjetë vjet, mesatarisht ata shihen dy herë në vit, nuk është normale për liderët e qeverisë”.
Kosova në NATO
Lidhur me gatishmërinë e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, e cila mund të gjenerojë tensione të tjera me Serbinë, Kurti argumenton se “është e kundërta: partneriteti ynë me Programin e Paqes dhe anëtarësimi në NATO do të ndihmojë në ruajtjen e një paqeje të qëndrueshme. Orientimi ynë është transparent. Dhe bazohet në vlerat euroatlantike”.
Lëvizjet ushtarake
Vitin e kaluar ata planifikuan 91 stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe bënë 104. Dy më të rëndësishmet quhen ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’. Që nga gushti 2001, Serbia ka ngritur 48 baza të avancuara, 28 për ushtri dhe 20 baza operative të xhandarmërisë rreth Kosovës. Veteranët serbë janë bërë të gjithë pro Rusisë. Si për të thënë: “rreziku ekziston dhe ne e paralajmërojmë atë”.