Lajme
Nga “një lloj autonomie” në “nuk kam mendim të elaboruar”: A i ndërroi llafet Veton Surroi?
Demokracia
11:20 | 06 Janar 2024

Share:

Veton Surroi, publicist dhe konsulent i Qeverisë së Kosovës, nuk vuan nga mungesa e mendimit. Ai ka shumë mendime, gati për gjithçka që ndodh në Kosovë, të cilat i shpreh për çdo javë përmes germave, e nganjëherë e fut në përdorim edhe zërin në televizione. Megjithatë, së fundi, ai ka pasur edhe një kapërcim në qëndrime në lidhje me draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Javë më parë, gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, Surroi i shpjegoi në mënyrë goxha të hollësishme mendimet e tij mbi draftin e statutit të Asociacionit. Madje, Surroi nuk ngurroi të jepte edhe përfundime prej eksperti të së drejtës kushtetuese.

Në këtë intervistë, Surroi paralajmëronte se drafti ishte një lloj autonomie, duke sugjeruar në formë këshille që të hapej debati mbi këtë temë, që e cilësoi si një “paketë Ahtisari Plus”.

“Unë mendoj që do të ishte më mirë, në momentin kur definohet një draft si i këtillë, të quhet me emrin e vet të vërtetë. Kemi të bëjmë me një lloj autonomie në Kosovë. Dhe nëse kemi të bëjmë me një autonomi, është më e ndershme të hapet debati brenda shoqërisë dhe të thuhet: ky është projekti, kjo është kushtetuta, kapacitetet për të hyrë në rendin juridik janë aty. Domethënë, ky draft mund të integrohet në rendin juridik të Kosovës pa ndryshime kushtetuese”– deklaroi javë më parë Surroi.

Në analizën e tij në nëntor të 2023, Surroi nuk ngurroi të theksonte se drafti aktual, i propozuar nga Bashkimi Evropian e që ishte publikuar jozyrtarisht, përbën një territorializim të të drejtave.

Tash jemi te territorializimi i të drejtave. Territorializimi nënkupton administrimin e çështjeve që janë të interesit serb që është i përmbledhur në të gjitha këto komuna. Territorializimi për arsim, shëndetësi, kulturë, menaxhim ekonomik, për planifikimin hapësinor urban, rural, nëse ai vendoset brenda këtyre 10 komunave, atëherë kemi të bëjmë me territorializimin e të drejtave”– sqaroi Surroi.

Megjithatë, ndërrimi i moteve ka sjellë një mendim ndryshe te Surroi. Në fakt, duket më shumë një kapërcim “ylberor”, pasi Surroi i vitit 2023 nuk është Vetoni i vitit 2024. Për më shumë, kalimi nga viti 2023 në vitin 2024, nuk ka kontribuuar në përditësimin kualitativ të mendimit të Surroit mbi draftin e Asociacionit. Përkundrazi, e ka mbytur tërësisht mendimin e Surroit.

I pyetur në Zërin e Amerikës për mendimin e tij në lidhje me draft-statutin e Asocacionit, Surroi, besoni ose jo, deklaroi se “nuk ka mendim të elaboruar”.

Unë nuk kam mendim të elaboruar rreth projekt-statutit, sepse unë mendoj se projekt-statuti duhet të inkorporohet brenda konceptit të normalizimit si tërësi. Pra, projekt-statuti nuk mund të jetë një entitet i veçantë, një strukturë juridike e veçantë prej strukturës juridike të përgjithshme të Republikës së Kosovës. Dhe për të arritur që të integrohet ideja e statutit të Asocacionit, duhet të integrohet ideja e barazisë mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Pra, Kosova nuk mund të trajtojë çështje të veçanta të marrëveshjes nëse Serbia nuk e pranon marrëveshjen si tërësi”– theksonte Surroi.

Nuk dihet nëse Surroi gjatë vitit 2024 do të arrijë që ta gjejë mendimin e tij që e kishte më 2023. Megjithatë, çështja e Asociacionit duket se do të jetë kryetema edhe gjatë vitit të pestë të dekadës së tretë të mijëvjeçarit të tretë pas lindjes së Krishtit.

Të ngjashme