Lajme
Nga ngritja nga kolltuku tek deklaratat si dashnor i shqipes dhe gruas, gjithçka që bëri Edi Rama në Opinion sonte
Demokracia
23:45 | 07 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” ku është përballur me një seri pyetjesh nga gazetari Blendi Fevziu në lidhje me akuzat dhe pëgjegjësinë politike mbi aferën e inceneratorëve për të cilën sot janë në pranga ish-zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë dhe ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka si dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj Ministrie, Alqi Bllako, ishte i prerë në përgjigjet e tij se drejtësia është ajo që gjykon mbi përgjegjësinë individuale të çdokujt që është implikuar në këtë çështje.

“Përgjegjësia ime është për rezultatet. Përgjegjësia ime për një ministër që shkon e merr lekë është vetëm një, që drejtësia të bëjë punën e saj,” tha mes të tjerash Rama, pas një videoje të transmetuar në emision ku shfaqej Rama së bashku me ish-ministrin Koka pak përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Rama tha se ndihet krenar për inceneratorët: “E rëndësishme këtu është që ne kemi ndërtuar dy impiante dhe një të tretë që është në proces, për të cilat unë jam krenar se ne kishim një Shqipëri të mbushur me tumore, – imagjinoni një yll grua të mbushur me tumore, – plehrash. Duke filluar nga disa kilometra që këtu në Sharrë e duke vazhduar në çdo cep të vendit ne kemi shkulur tumoret e këtij trupi. Në Elbasan kishte një re të madhe që ngrihej në çdo muzg, nuk është më re.”

Rama iu shmang disa pyetjeve të drejtëpërdrejta lidhur me përfitimet e kompanisë që ka fituar tenderin e inceneratorëve, madje ai refuzoi disa herë të përgjigjej, duke anashkaluar bisedën në studio, kur fillimisht kërkoi t’i shërbehej një kafe nga stafi i emisionit, ndërsa më pas u ngrit nga kolltuku dhe u afrua te publiku duke ndërperë bashkëbisedimin live, teksa tha se qytetarët janë më të interesuar të dëgjojnë lidhur me krizën e çmimeve me të cilën po përballet edhe Qeveria.

Edhe drejtuesi i emisionit, Blendi Fevziu, nuk e la pa ngacmuar kreun e Qeverisë, kur zbuloi pensionin e një prej zonjave të publikut me të cilat po bisedonte Rama, duke lënë madje shumën e parave në tavolinë.

Pjesë nga biseda:

Kryeministri Rama: Fevzi, ik merru me inceneratorët!

Blendi Fevziu: Kaq është pensioni i zonjës. Urdhëro!

Kryeministri Rama: Aleksandër, ça i ke dhënë Fevziut?

Blendi Fevziu: Ja, ky është pensioni i zonjës, 78 mijë lekë, apo jo? Unë e di që është e vështirë, nuk ju akuzoj fare ju, po më thuaj çfarë mund të bëjë zonja me këto lekë, meqë s’do të dëgjosh inceneratorët? Cfarë mund të bëjë një pensionist?

Kryeministri Rama: Unë s’po e kuptoj këtë emision. Për çfarë më ke ftuar?

Blendi Fevziu: Po të pyes për çmimet.

Kryeministri Rama: Nëse më ke ftuar të të bëj shoqëri ndërkohë që ti bën propagandë…

Blendi Fevziu: Po ti nuk mund të përgjigjesh për inceneratorët.

 

Pas këtij momenti biseda në studio iu rikthye seriozitetit dhe pyetjeve të skaletës, që vijoi po me çështjen e inceneratorëve, të cilën Kryeministri e lidhi përsëri me drejtësinë.

“Dosjen e SPAK-ut lërja ta gjykojë Gjykata. Edhe Komisioni Hetimor tani mbaroi. Se pse më more pyetjet e Lajthisë këtu dhe fillove nga e para…?! Apo je zhgënjyer nga mënyra se Lajthia menaxhoi Komisionin,” ironizoi Rama.

“Qytetarët shqiptarë thonë këtë: Bravo për këto punë, haram për këto bëma. Kush ka bërë punën do mbajë bravën, kush ka bërë haramin do mbajë haraçin,” e mbylli argumentin e tij për çështjen e inceneratorëve Rama, duke nënvizuar faktin se, sipas tij, “është historike që në Shqipëri pas 500 vjetësh po fillon të ketë drejtësi që s’pyet as për ministra.

Ndërkaq, Rama i pyetur nga Fevziu në lidhje me marrëdhëniet e tij me mediat, u shpreh se ai është dashnor vetëm i gjuhës shqipe dhe Lindës, bashkëshortes së tij. “Unë jam dashnor i gjuhës shqipe edhe i gruas time,” u shpreh Kryeministri Rama.

Të ngjashme