Në Bucha-n, e sapo çliruar nga pushtimi rus, autoritetet lokale denoncojnë “ekzekutimet ruse të civilëve, trupat me duar të lidhura”, duke folur për “masakër dhe gjenocid të qëllimshëm” dhe duke kërkuar nga G7 “më shumë sanksione kundër Rusisë”.
Megjithatë, Moska i hedh poshtë akuzat: “Fotografi të rreme, lajme të rreme”. Sipas OKB-së, trupat e zbuluar në Bucha “ngrenë pyetje serioze rreth krimeve të mundshme të luftës”. Sipas Shtëpisë së Bardhë, lufta është “larg mbarimit”.
Blinken dhe Stoltenberg denoncojnë mizoritë e Bucha
Kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënuan për CNN mizoritë kundër civilëve që u atribuohen rusëve në Bucha, afër Kievit.
“Ato imazhe janë një grusht në stomak”, reagoi Blinken, duke përsëritur se SHBA po dokumenton çdo “krime lufte”, pa thënë megjithatë nëse i konsideron ato krime kundër njerëzimit apo gjenocid.
Dhuna e Bucha është “e tmerrshme”, tha Stoltenberg, kreu I NATO-s, duke denoncuar një “brutalitet të paprecedentë në Evropë për dekada”.
OKB, kufomat në Bucha vënë në dyshim krimet e luftës
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres tha se ishte “thellësisht i tronditur nga imazhet e civilëve të vrarë në Bucha”, ku shumë trupa u zbuluan pas tërheqjes së forcave ruse.
“Është thelbësore që një hetim i pavarur të hedhë dritë mbi përgjegjësit”, shtoi ai në një deklaratë të shkurtër për shtyp. OKB thekson se trupat e zbuluar në Bucha “ngrenë pyetje serioze rreth krimeve të mundshme të luftës”.
Spanja kërkon hetim për “krimet e luftës” ruse
Spanja bën thirrje për një hetim për “krimet e luftës” të rusëve në Ukrainë përballë “imazheve të padurueshme” që vijnë nga Bucha. Kështu ka bërë të ditur ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares.
Johnson: Do ta godasim makinën e luftës së Putinit
Kryeministri britanik Boris Johnson tha se “sulmet e neveritshme ndaj civilëve në Bucha dhe Irpin janë dëshmi se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë dhe se Britania mund të rrisë sanksionet dhe ndihmën ushtarake si përgjigje”.
Franca dhe Gjermania
Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka folur shpesh me Presidentin Putin që nga fillimi i konfliktit, i quajti fotografitë “të padurueshme”. Ai tha se “autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime”.
Duke folur për gazetën Bild, zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck i quajti vrasjet një “krim të tmerrshëm lufte që nuk mund të mbetet pa përgjigje”. “Unë mendoj se kërkohet forcimi i sanksioneve”, shtoi ai.
“Unë do të bëj gjithçka në fuqinë time për të goditur makinën e luftës së Putinit”, – shtoi ai.
Moska: Fotot në Bucha, një tjetër provokim
Ndërsa bota është e indinjuar me imazhet e mizorive të kryera në Bucha, një përgënjeshtrim vjen nga Moska, shkruan Gazeta Si.
“Të gjitha fotografitë dhe materialet video të publikuara nga regjimi i Kievit, të cilat tregojnë një lloj “krimi” nga personeli ushtarak rus në qytetin e Bucha-s, në rajonin e Kievit, janë një provokim tjetër”, thotë Ministria ruse e Mbrojtjes. raporton agjencia “Ria Novosti”.
“Gjatë kohës që Bucha ishte nën kontrollin e forcave të armatosura ruse, asnjë nga banorët vendas nuk iu nënshtrua veprimeve të dhunshme”, tha Ministria e Mbrojtjes.