Lajme
Nga Mitsotakis te Papandreu, politikanët grek i drejtohen qendrave të votimit
Demokracia
11:06 | 21 Maj 2023

Share:

Ditën e sotme në Greqi qytetarët do të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re. Nga ora 07:00 qëndrat e votimit janë hapur ku do të votojnë rreth 9.8 milionë votues , për të zgjedhur 300 deputetët e Kuvendit të Greqisë për periudhën 2023-2027.

Qendrave të votimit i janë drejtur sigurisht dhe kandiatët për kreun e shtetit, si dhe figura të njohura politike.

Kryeministri dhe kreu i partisë “Demokracia e Re”, Kyriakos Mitsotakis ka ushtruar të drejtën e votës në shkollën fillore të Kifisisë.

Mitsotakis shoqërohej nga djali i tij Konstantinos Mitsotakis dhe vajza e tij e vogël Dafne.

“Sot votojmë për të ardhmen tonë, për punë më shumë e më të mira, paga më të larta, një sistem shëndetësor më të mirë, kufij të mbrojtur. Zgjedhjet janë festa e Demokracisë, sot përgjegjësia shkon tek qytetarët, jam i sigurt që nesër do të gdhijë një ditë edhe më e mirë”, tha ai pas daljes nga qendra e votimit.

Po ashtu dhe kreu i SYRIZA-s, Aleksis Tsipras ka votuar në Kipseli.

“Sot është ditë shprese” e nisi mesazhin e tij Tsipras.

Ai theksoi veçanërisht se qytetarët kanë në dorë mundësinë për të zbatuar kërkesën e mazhorancës për ndryshimin e kursit të vendit.

“Për të lënë pas katër vite të vështira, të vështira pabarazish, padrejtësie, fitime të ndyra, pasiguri në punë, ankande, indinjitet për pensionistët, shënjestrim për të rinjtë. Të lëmë pas një qeveri arrogante që nuk ndjen nevojat e të shumtëve dhe t’i hapim rrugë një qeverie bashkëpunimi progresiv në një program drejtësie sociale. Për të pasur shpresë për një të nesërme më të mirë. Një qeveri e cila do të ketë fytyra të reja, por mbi të gjitha një etos dhe stil të ri qeverisjeje”, u shpreh ai.

Qendrës së votimit ju drejtua dhe ish-kryeministri dhe kandidati i PASOK-Lëvizjes Ndryshim,  Jorgo Papandreu, në një qendër votimi të Gjimnazit të 2-të të Patrës.

Në prononcimet e tij për gazetarët, ai tha se helenizmi ka një potencial të madh, ne mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë.

“Greqia duhet të ndryshojë”, tha ai.

Të ngjashme