Lajme
Nga ministër i Mbrojtjes në ambasador në Norvegji? | Mehaj flet për Demokracia.com
Demokracia
16:19 | 11 Gusht 2023

Share:

Armend Mehaj në fillim të kësaj jave dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Mbrojtjes.

Pas dorëheqjes, Mehaj nisi të përflitet si ambasadori i ardhshëm i Kosovës në Norvegji, vend nga i cili kishte ardhur për të shërbyer si ministër në Kosovë.

Por ushtaraku Mehaj e ka mohuar se po përgatitet për t’u bërë ambasador. Ai ka thënë se pavarësisht se ka pasur shumë oferta, nuk ka pranuar asnjërën.

“Jo. Jo i sigurt. Kam pasur shumë oferta, por nuk e kam pranuar asnjë”, ka thënë Mehaj të  premten për Demokracia.com kur është pyetur nëse do të jetë ambasador në vendin që jeton familja e tij.

Arsyet e dorëheqjes së Mehajt ndërlidhen me pakënaqësitë që i ka, si me vijën politike të kryeministrit Kurti, e cila çoi në sanksione ndërkombëtare, ashtu edhe me vartësit e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, veçanërisht me zëvendësministrin Shemsi Syla, i cili sillej sikur të ishte ai ministri, e jo Mehaj.

Mehaj me anë të një shkrimi në Facebook, po atë ditë tregoi edhe arsyet e dorëheqjes, por pa u lëshuar në detaje.

“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj nder tjerash.

Ndryshe, pas dorëheqjes për punën e tij, Mehaj mori mbështetje shumë të madhe nga të gjithë ambasadorët në Kosovë.

Ushtaraku Armend Mehaj, iu bashkua kabinetit të Albin Kurtit, në Qeverinë Kurti 2 në mars të vitit 2021. Ai ka lindur në vitin 1981 në Isniq të Deçanit, ndërsa ka jetuar dhe vepruar në Oslo të Norvegjisë. Ai i është bashkuar Forcave të Armatosura të Norvegjisë në vitin 1999, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.

Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kapiten Mehaj ishte dekoruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi, me medaljen “Për shërbime të veçanta, me motivacionin “Për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë, si dhe në kontributin e veçantë të dhënë në përmbushje me sukses të misionit paqeruajtës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Çad”. /Demokracia.com/

Të ngjashme