Lajme
Nga kryetar i një nëndege të AAK-së në 2019, tash u.d i kryeshefit të KEK-ut | Kush është Gramos Hashani dhe cilat janë lidhjet e tij me pushtetin?
Demokracia
19:41 | 08 Mars 2025

Share:

Nga politika lokale në majat e KEK, emërimi që ngre dyshime mbi ndikimin e rrjeteve të brendshme.

Bordi i Drejtorëve të KEK, me kryesues Valdrin Krasniqi, ka emëruar Gramos Hashanin në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv. Deri më tani, ai ka mbajtur pozitën e zyrtarit financiar në këtë ndërmarrje publike.

Por ajo që ngjall reagime është fakti se në korrik të vitit 2019, Hashani ishte zgjedhur Kryetar i nëndegës IV të AAK-së në Obiliq, një pozitë politike që e lidh ngushtë me Xhafer Gashin.

Sot, pesë vite më vonë, ai ngjitet në krye të KEK-ut, me mbështetje të fortë nga rrjete politike brenda ndërmarrjeve publike.

Shihet nga rrjetet sociale që Hashani ka raporte të afërta me sekretarin e KEK, Alban Krasniqi si dhe me Valon Prebrezen, aktivistin e Vetëvendosjes që drejton Njësinë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP), i njohur për ndikimin e tij në punësimet dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore.

(Foto: Gramos Hashani, Alban Krasniqi, Valon Prebreza)

Alban Krasniqi, një figurë me ndikim të madh në ndërmarrjet publike, aktualisht mban njëkohësisht dy pozita të rëndësishme: është Sekretar i KEK-ut dhe njëherësh anëtar i Bordit të Trepçës.

Lidhjet e tij me Hashanin dhe Prebrezën nuk janë aspak të fshehta, madje, një fotografi e publikuar në profilin e Valon Prebrezës në rrjetet sociale i shfaq të tre bashkë, duke ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi ndikimin e tyre në këto emërime.

Ndikimi i Valon Prebrezës, si një figurë e afërt me ministren Artane Rizvanolli, është kritikuar vazhdimisht nga ekspertët dhe shoqëria civile. Prebreza, i njohur për ndërhyrjet në ndërmarrjet publike, kishte marrë këtë pozitë në Ministrinë e Ekonomisë në vitin 2023, përkundër lidhjeve të tij të forta politike. Ministrja Rizvanolli jo vetëm që e kishte mbështetur atë, por edhe kishte refuzuar të publikonte CV-në e tij pas kritikave të shumta.

“S’ka as CV publike”| Denoncohet emërimi i aktivistit të VV-së në krye të ndërmarrjeve publike

KEK-u nën ‘kthetrat’ e pushtetit, miku i aktivistit të VV-së emërohet u.d i kryeshefit

Valon Prebreza ka ushtruar ndikim të dukshëm në punësimet brenda ndërmarrjeve publike. Një nga rastet më të fundit dhe më të përfolura ishte punësimi i 85 punëtorëve të rinj në KEK, shumica prej tyre nga fshati Bardhi i Madh, fshati ku vjen ky dhe ish-kryeshefi Bekir Gerguri. Përveç kësaj, ndikimi i tij shtrihet edhe në emërimet brenda menaxhmentit të KEK, ku gjatë vitit të fundit dhjetëra persona nga i njëjti fshat janë promovuar në pozita drejtuese./Demokracia.com/

Skandali me konkursin e KEK-ut që rehatoi 85 “kusha” të ish-kryeshefit, të drejtorëve e menaxherëve (VIDEO)

Të ngjashme
Lajme • 19 Prill 2025
Lajme • 19 Prill 2025