Lajme
Nga kiflet e hamburgerët, Kurti e Vuçiq shërbehen veç me ujë në Ohër
Demokracia
16:32 | 18 Mars 2023

Share:

Ka nisur takimi mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ky takim po mbahet nën patronazhin e Bashkimit Evropian, ku prezentë janë përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Meqë takimet e tilla janë zakonisht të gjata, palët pothuajse gjithmonë janë shërbyer edhe me ushqim. Por, krejt ndryshe po del të jetë takimi i sotëm në Ohër, ku ndërmjetësuesit dhe përfaqësuesit e të dyja shteteve janë shërbyer veç me ujë.

Në takimet e kaluara në tavolinën e diskutimit zinin vend ushqime interesante, si biskota, kifle e hamburgerë të vegjël ndërsa për pije shërbeheshin ujë e kafe, çaj e coca-cola dietale.

Në takimin e parafundit që u mbajt më 27 shkurt në Bruksel, Kurti e Vuçiq u pritën me çaj, kafe, coca-cola pa sheqer dhe biskota.

Në takimin trepalësh të mbajtur më 21 nëntor 2022, palët u shërbyen me çaj e kifle.

Por, ndryshe u patën shërbyer më 8 gusht të 2022-ës ku pati edhe hamburgerë të vegjël dhe dy lloje coca-colash.

Por, Lajçak pa Borrellim më 4 maj të vitit të kaluar, Kurtit e Vuçiqit i shtroi darkë në Berlin të Gjermanisë.

Se çfarë menuje të ushqimit patën nuk dihet, por në pamjet zyrtare të publikuar po atë natë në pjatat e tyre shihej e servirur një anti-pastë.

Të ngjashme