Auto&Tech
Nga kamarierët deri te programerët, si po ndikon Inteligjenca Artificiale te profesionet në Kosovë
Demokracia
18:26 | 31 Maj 2025

Share:

Në Kosovë teknologjia e informacionit është një nga sektorët me pagat më të larta, por është edhe ndër më të ekspozuarit ndaj një fuqie të re, Inteligjencës artificiale.

Sipas një raporti të fundit të Organizatës Botërore të Punës, një në katër punëtorë në nivel global mund të përballet me zëvendësim të pjesshëm nga inteligjenca artificiale.

Më të rrezikuar janë ata me paga më të larta dhe që punojnë në vendet më të zhvilluara, profile që përkojnë shpesh me sektorin e teknologjisë informative.

Kush s’rrezikohet fare?

Kamarierët, minatorët, kopshtarët, bujqit e disa të tjerë.

Në Kosovë sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit punëson afro 13 mijë persona.

Shumica janë të rinj dhe të orientuar drejt zhvillimit të softuerëve, aplikacioneve dhe ueb faqeve, fusha ku përdorimi i inteligjencës artificiale po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.

Disa tregojnë se kjo teknologji e re më shumë ua ka lehtësuar punën se sa që ua ka rrezikuar atë.

Valon Canhasi nga Hallakate, thotë se njerëzit duhet të mësohen të punojnë me inteligjencën artificiale e jo kundër saj.

“Jemi më të shpejtë, më të saktë dhe më të qartë në çdo hap të punës sonë. Po kemi më pak staf, por kemi edhe më shumë kapacitet”, ka deklaruar Canhasi.

Organizatat vendase të teknologjisë theksojnë se nuk janë profesionet që rrezikohen, por detyrat rutinore që s’kërkojnë kreativitet dhe mendim kritik.

Ato besojnë se përparësi në Kosovë është popullsia e re.

“Duke marrë parasysh popullsinë në moshë të re, kryesisht në sektorin e tik-ut, potenciali për t’u përshtatur me pozitat që transformohen është i lartë”, ka deklaruar Aldo Baxhaku, zyrtar i komunikimit publik në Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK).

E si të mbijetohet?

Ekspertët lokal e ndërkombëtarë thonë se ata që e kuptojnë dhe e integrojnë inteligjencën artificiale në punën e tyre të përditshme do të jenë më të përgatitur për të ardhmen që tashmë ka nisur.

Të ngjashme