Lajme
Nga dialogu pa kushte në 6 kushtet e Kurtit që Lajçak nuk ia përfilli
Demokracia
08:07 | 08 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti kur erdhi në pushtet thoshte se dialogu me Serbinë nuk ishte prioritet i tij.

Ai thoshte se dialogu ishte prioriteti i tij i gjashtë apo i shtatë dhe nuk kishte hartuar asnjë strategji, ndonëse bisedimet me Serbinë u bënë pothuajse puna e vetme që po e bënë me përkushtim personal, shkruan Demokracia.com.

Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, të hënën i pritën në Qeveri ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi kishte për temë qendrore të diskutimit procesin e dialogut, propozimin evropian për marrëveshjen dhe “rrugën përpara”.

Në komunikatë për media pas takimit, ZKM-ja nuk e përmendi Asociacionin, por atij iu referua si “marrëveshja e Brukselit e vitit 2013”.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”,  u tha në komunikatë.

Mes tjerash, ZKM-ja thotë se Kurti ka thënë se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.

“Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”,  u tha në komunikatë.

Kurti javën që shkoi, në një seancë të Kuvendit, renditi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm sipas tij.

Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, gjë që faktikisht me marrëveshjen e vitit 2013 edhe është.

Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

Lidhur me këtë pikë, Asociacioni nuk ka qenë asnjëherë monoetnik, pasi që rreth 15 për qind e popullsisë së komunave me shumicë serbe janë pjesëtarë të komuniteteve të tjera, si dhe nuk është paraparë kurrë që ai të ketë kompetenca ekzekutive.

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Kurse, i dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se gjithçka që është nënshkruar, duhet të zbatohet, duke iu referuar çështjes së Asociacionit.

Ai, para gazetarëve, tregoi se janë përmendur edhe gjashtë kushtet e parashtruara nga shefi i ekzekutivit.

Lajçak tutje tha se arsyeja e vizitës në Kosovë dhe ajo e takimit me kryeministrin Albin Kurti është çështja e planit evropian.

I pyetur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se tashmë është e ditur se gjithçka që është nënshkruar duhet të zbatohet.

“Janë përmendur edhe kushtet e Kurtit, për ne e rëndësishme është që të bëhen marrëveshje për normalizim të raporteve”, tha Lajçak.

Por, muaj më parë, në prill të vitit të kaluar kur në Kosovë erdhi për vizitë ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani u shprehën të gatshëm për t’u angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog, duke mos kërkuar asnjë kusht.

“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për tu angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, kishte thënë Donfried.

Ajo shtoi se nuk ka njohuri për afate kohore specifike sa i përket dialogut, porse tha nëse ka vullnet nga të gjitha anët, do të ketë lëvizje pozitive.

“Së pari, jam shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, ka thënë Donfried. /Demokracia.com/

Të ngjashme