Lajme
Nga buka te kafja, çmimet “fluturojnë” para se të shtrenjtohet rryma në Kosovë
Demokracia
15:23 | 27 Prill 2025

Share:

Edhe pse çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet nga 1 maj, disa biznese tashmë kanë ngritur çmimet e produkteve, ndërsa të tjera kanë paralajmëruar shtrenjtim që nga 1 maji.

Edhe pse çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet nga 1 maj, disa biznese tashmë kanë ngritur çmimet e produkteve, ndërsa të tjera kanë paralajmëruar shtrenjtim që nga 1 maji.

Një bukë shitet 80 centë në një nga furrat e Prishtinës, ndërsa para dy javësh kushtonte 60 centë.

Kurse, një kafiteri në kryeqytet bën të ditur se nga fillimi i muajit maj, makiato do të kushtojë 50 centë më shtrenjtë.

Përditësimi i çmimeve nga bizneset po bënë që qytetarët të ankohen. Ata thonë se krahasuar me të ardhurat e tyre, çmimet po bëhen të pa përballueshme.

Në anën tjetër, shoqata e bizneseve thotë se kjo qasje rrjedh nga pasojat e shtrenjtimit të energjisë elektrike, që i detyron ato të rrisin çmimet.

Ekipi i KosovaPress, ka vizituar disa furra në Prishtinë, të cilat prapa kamerave thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të çmimores, për shkak të tarifave të reja të energjisë elektrike.

“A janë të gjitha bukët nga 80 centë apo vetëm ajo? Kjo e shtëpisë është 80 centë. A ka qenë edhe më herët 80 a? Jo, 60 centë, por tash është bërë 80. Kur? Para dy javësh”, tregon punëtorja e furrës.

Sipas pronarit të një kafiterie në kryeqytet, furnizuesit po e shesin kafenë më shtrenjtë, dhe për këtë arsye siç thotë ai, ka qenë i detyruar të përditësojë çmimet e kafesë.

Nga e enjtja, nga 1 euro sa është, makiato do të kushtojë 1 euro e 50 centë në këtë bar.

Po ashtu, në një bisedë telefonike, ai thekson se me shtrenjtimin e energjisë elektrike, mund të ndryshohen edhe çmimet e produkteve ushqimore.

“Çmimet e kafesë janë shtrenjtuar prej 1 majit për shkak se furnitorët që ne marrim kafe, ata e kanë rritur çmimin. Edhe në vitin 2024 dy herë është rritur çmimi. Herën e fundit është rritur çmimi për katër euro. tash ka ndodhur rritja prapë prej 1 majit edhe për katër euro, që nënkupton se nuk kemi zgjidhje ne bizneset pa e rritur edhe çmimin e kafesë. Një ekspreso e kemi shitur 1 euro, tash do të shitet 1 e 20, që prapë nuk e mbulon atëpjesën ku me ditë sa. Ndërsa, makiato e madhe 1 euro e gjysmë. Përndryshe, është paralajmëruar që do të rritet paraparë deri në fund të vitit edhe njëherë ose dy…Klienti nuk po e kupton që furnitori njëherë e shtrenjton, më pas edhe ne…Ka të bëjë edhe me shtrenjtim të rrymës, patjetër. Po duhet ta shtrenjtojmë edhe pjesën tjetër të ushqimit. Sepse shtrenjtimi i rrymës, kanë filluar paralajmërimet edhe për shtrenjtimin e bukës dhe gjërave të tjera që janë në proces të prodhimit me rrymë”, tregon pronari i kafiterisë në Prishtinë.

Përveç në furra e kafiteri, qytetarët thonë se ngritje të çmimeve kanë vërejtur edhe nëpër markete.

Viktor Sopi thotë se krahasuar me standardin e jetesës në Kosovë, çmimet janë të larta.

“Standardi i cili është me vendin tonë jashtëzakonisht çmimet janë të mëdha, krahasuar me pagat, me standardin e qytetarëve. Por, vërehet që disa artikuj vërtetë janë ngritur…Nëpër makete normal. Për shembull krahasohen me botën perëndimore Gjermani, Zvicër shumë artikuj në Kosovë janë më shtrenjtë se jashtë. Jo që ka ngritje enorme vetëm këtë kohë të fundit, por në mënyrë graduale çmimet gjithmonë janë në ngritje, e pagat jo”, shprehet Sopi.

Isuf Musliu ankohet se artikujt po shtrenjtohen vazhdimisht dhe pa paralajmërim.

Ai thotë se krahas kësaj, të paktën duhet rritur pagat.

“Jo vetëm në furra dhe markete, po çdokund po i ngrisin çmimet. Kudo që janë po vjedhin, po i ngrisin çmimet. Punëtorët e shkretë po punojnë me çmime të ulëta…Po vërejmë ë (rritje të çmimeve) çdo qytetar jo veç unë vëren çmime. Sot është çmimi i ulët, nesër pa kurrfarë paralajmërimi del. Pse nuk po i rritin pagat, të ardhurat për qytetarët, e më pas le t’ua ngrisin edhe çmimet”, thotë Musliu.

Që nga paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë elektrike kanë filluar ngritjet e çmimeve sipas kryetarit të shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

“Vaj halli për konsumatorët” thotë Kaçaniku derisa thotë se tarifat e reja të energjisë kanë qenë “përkrahje” për ata që kanë dashur t’i rritin çmimet.

“Aty këtu kanë filluar rritje të çmimeve që nga momenti i paralajmërimit të shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike që ka qenë një vendim ose një paralajmërim i pamatur i qeverisë, ministrisë dhe ZRrE-së. Që atëherë është shkaktuar vala e ngritjes së çmimeve. Në një mënyrë ai paralajmërim ka qenë si mbështetje apo përkrahje për të gjithë ata që duan t’i ngrisin çmimet. Në momentin kur qeveria dhe ZRrE-ja e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve është dashur të dalin edhe me masën e parandalimit të ngritjes së çmimeve para kohe. Ngritja e çmimeve është e sponzorizuar nga qeveria… Vaj halli për konsumatorin”, potencon Kaçaniku.

Nga këndvështrimi tjetër, kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysni Sogojeva thotë se në zbatim të tarifave të reja të rrymës, çmimet në restorante dhe hotele, kanë nisur të rriten dhe kjo pason me reduktimin e klientelës. Si rrjedhojë e kësaj, Sogojeva potencon se bizneset janë gjithnjë e më të rrezikuara nga falimentimi.

“Sipas informatave që i kemi ne si odë, të jeni të bindur që shumica e bizneseve e sidomos ato të gastronomisë dhe hotelerisë mezi që janë duke qëndruar në këmbë të veta. Me këto shtrenjtime, zvogëlimi i klientelës dhe shumë gjëra që do të pasojnë në të ardhmen, është një problem shumë i madh dhe jetik… Veç kanë filluar diku, kafja ka filluar të bëhet 1 euro e 30 centë apo 1 euro e 40 deri në 1 e 50. Në momentin kur shtrenjtohet shërbimi, normal që klientela zvogëlohet. Me zvogëlimin e klientelës bizneset, edhe ashtu që nuk janë të ndihmuara nga shteti… Tani kur në Prishtinë tek rruga B qysh më herët kanë filluar, sepse nuk është gjendja e mirë…Shtrenjtimi i rrymës lidhet varg me shtrenjtimet e tjera”, thotë Sogojeva.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 16 prill ka aprovuar tarifën prej 16.1 për qind për shtrenjtimin e rrymës.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

Të ngjashme