Lajme
Nga “Asociacioni bëhet” e ‘vjedhja’ e çuditshme e fjalëve të Kurtit e te plani franko-gjerman: Rasti i trishtë i deputet Mujës
Demokracia
16:32 | 29 Janar 2023

Share:

Armend Muja është një prej deputetëve më të zëshëm të Vetëvendosjes por është e paktë të thuhet se ai është… i çuditshëm. Të paktën, të çuditshme ishin sulmet e tij ndaj Vetëvendosjes ku bën pjesë sot… dhe futja e tij në këtë subjekt politik përmes kopjimit bukfal të fjalëve të liderit të tij.

Para disa ditësh, deputeti Armend Muja u shpreh ashpër në kundërshtim të Asociacionit – madje, të cilin e quante “Zajednicë’ ani pse lideri i tij e ka hequr tashmë nga fjalori.

“E dyta ka qenë të gjitha ato përpjekjet për formimin e ‘Zajednicës’ të cilat ne i kundërshtojmë. ‘Zajednicë’ në Kosovë nuk do të ketë. Në këtë aspekt ka qenë detyrë e jona që të forcohet pozicioni i Kosovës, sidomos në orientim ndaj projekteve të integrimit evropian,” – ishte shprehur ai.

Asociacioni bëhet

Dikur, Armend Muja ia shihte për të madhe Vetëvendosjes që po protestonte për një gjë të tillë.

“Asociacioni u kriju, nuk ka kthim mbrapa. Ai është nënshkru… vetëm jemi te detajet e implementimit. Në mendjen e kërkujna nuk ekziston nëse duhet të jetë, por çfarë duhet të jetë…” – thoshte Muja në cilësinë e analistit.

Ai madje ishte edhe kundër akt-vendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse… i jepte zë edhe më shumë opozitës.

“Në nifarë mënyre mu nuk më pëlqej ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk më pëlqej për arsye se është aq ambiguoz… ma tepër unë e pashë si formalizim i opinioneve të fragmentume në shoqëri se sa një tendencë për t’i ofru zgjedhje. Në një farë mënyre, ti pak, ky pak edhe vazhdoni…”

“E kom fjalën te ato mesazhet kryesore. Partive opozitare ju tha qe është antikushtetues dhe si rezultat “kauza” e tyre mund të vazhdojë…”

Kur fliste për kauzën, ai i ngriste dy gishta për të treguar se në fakt Asociacioni nuk ishte fare kauzë. Ose ishte kauzë e rreme, përcjell Nacionale.

Kopjimi i Kurtit “fjalë për fjalë”

Futja e tij në Vetëvendosje nuk kishte qenë aspak e befasishme marrë parasysh që paraprakisht si analist po e mbronte këtë parti politike. Por, megjithatë prezantimi i tij ishte i çuditshëm.

Albin Kurti do t’i shkruante disa fjalë, e të cilat për çudi do të kopjoheshin fjalë për fjalë nga Armend Muja – sikur për të treguar që do të ishte i bindur si aktivist.

“Me Armendin njihemi qëmoti, por nga sot, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!” – shkroi Albin Kurti më 12 janar 2021.

“Me Albinin njihemi qëmoti, por nga dje, do të jemi edhe aktivistë e kolegë në VETËVENDOSJE!” – shkroi Armend Muja më 13 janar 2021.

Plani franko-gjerman

Armend Muja në tetorin e vitit 2020, në kohën e Qeverisë Hoti, e akuzonte nënkuptueshëm këtë të fundit se po e çonte vendin në drejtimin ku do të kishte Asociacion por s’do të kishte njohje nga Serbia.

Në fakt, Hoti ka insistuar vazhdimisht për njohjen reciproke që ishte edhe baza e platformës së tij në dialog.

Por, në kohën e Qeverisë Kurti Kosovës i mbërriti plani franko-gjerman që thuhet se nuk përmban njohjen reciproke e ndërkohë që përmban Asociacionin.

“Debati real në BE është se Kosova duhet ta implementoj Asociacionin pa njohje.” – thoshte Muja në Debat Plus.

Por, Muja shprehej pozitivisht për planin franko-gjerman duke e quajtur edhe si bazë të jashtëzakonshme, pasi Kurti e quajti me bazë të shëndosh.

“Ne jemi goxha të bindur se ka ndodh një hap pozitiv, shumë i madh krahasu me atë që e kemi pa… por që në anën tjetër e shohim si dokument si bazë të jashtëzakonshme mbi të cilën duhet të punohet dhe rafinohet gjatë procesit të dialogimit,” – thoshte tash Muja.

Çka mendon deputeti Armend Muja, të dashur lexues, për çfarëdo zhvillimi politik? Ju ftojmë të gjithëve që ta mendoni seriozisht një gjë të tillë!

Të ngjashme