Presidenca e Kosovës ka dhënë një tender prej 50 mijë eurosh për blerjen e biletave për avion. Ky tender është dhënë me anë të negocimit me vetëm një kompani. Pak ditë më parë, Presidenca kishte hapur një tender në vlerë 120 mijë euro për bileta të avionit.
Një tender i nisur në fillim të këtij muaji për blerje të biletave nga Presidenca e Kosovës është konkretizuar sot.
Mirëpo, ky tender nuk ka shkuar ashtu siç ishte planifikuar e siç kishte njoftuar vetë Presidenca, shkruan Demokracia.com.
Për blerje të biletave, Presidenca kishte planifikuar t’i shpenzojë 120 mijë euro dhe që tenderi të jetë i hapur dhe me konkurrencë ndaj kompanive.
Ky tender tani ka zbritur në 50 mijë euro dhe është dhënë me negocim, pa pasur fare konkurrencë.
“Shërbimet e transportit ajror – bileta. E negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Data e dhënies së kontratës 28.10.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 29.10.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 1 Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Vlera e përgjithshme e kontratës 50,000.00 euro”.
Presidenca ka treguar se me këto para do të blihen 150 bileta të avionit.
Po ashtu edhe në këtë njoftim është treguar se vlera e biletës prej 390 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdoret vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit.
“Vërejtje: Vlera e biletës prej 390 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm apo sisteme online”.
Në dosje të tenderit tregohet se kompania duhet të japë çmime reale të tregut për shërbimet e ofruara.
“Shënim: Operatori ekonomik duhet t’i japin çmimet reale të tregut për pozicion dhe në total për furnizimet e kryera dhe shërbimet e ofruara. Çmimet jo-normalisht të ulëta dhe çmimet më të larta se çmimet reale të tregut do të trajtohen në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik”.
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar se Presidenca e Kosovës ka hapur një tender prej 120 mijë eurosh për blerjen e biletave për avion. Me këto para planifikohet të blihen 300 bileta dhe për një të tillë do të paguhen 390 euro.
“Shërbime të udhëtimit me aeroplan (bileta) për nevojat e Zyrës së Presidentes së Kosovës. Relacionet nuk mund të definohen paraprakisht. Afërsisht rreth 300 bileta të udhëtimit me aeroplan. Vlera e parashikuar e kontratës: 120,000.00 euro. Bileta Aeroplani 300 copë. Çmimi për një biletë 390 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur./Demokracia.com/
“Osmani Airlines”, Presidenca bën gati 120 mijë euro për bileta të avionit