Lajme
Nga 0€ në rreth 1,300€ | Para disa muajsh Albulena Haxhiu krenohej se burri i punon pa pagesë si këshilltar në MAPL, e tani në KQZ do të marrë rrogë të majme
Demokracia
12:09 | 25 Shkurt 2023

Share:

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e thoshte me krenari se bashkëshorti i saj, Alban Krasniqi, nuk merr asnjë para nga buxheti i Kosovës si këshilltar i jashtëm politik në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Megjithatë, që nga tani e tutje, si anëtar i KQZ-së, Krasniqi do t’ia vjelë afro 1,300 euro në muaj buxhetit të Kosovës.

Paga mujore e anëtarëve të KQZ-së shkon rreth 1,300 euro në muaj. Këtë pagë nga buxheti i Kosovës do ta fillojë ta marrë burri i Albulena Haxhiut, pas dekretimit  të Krasniqit nga presidentja Vjosa Osmani për anëtar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për VV-në.

Pas konfirmimit të lajmit për emërimin si këshilltar në MAPL, ministrja Haxhiu mburrej se si bashkëshorti i saj nuk po merrte asnjë para nga buxheti i Kosovës.

“Ministri Elbert Kransiqi e ka angazhuar Albanin si këshilltar të jashtëm, Albani nuk paguhet nga buxheti i shtetit”, deklaronte ajo.

Presidentja Vjosa Osmani përgjatë së premtes e emëroi burrin e ministres Haxhiu si anëtar të KQZ-së. Në komunikatën e presidencës thuhet se emërimi i Krasniqit si anëtar i KQZ-së ishte propozim nga Grupi Parlamentar i VV-së.

“Z. Krasniqi është emëruar konform propozimit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe sipas legjislacionit në fuqi, do të shërbejë për kohëzgjatjen e mandatit të mbetur”, thuhet në njoftim të Presidencës.

Ndonëse është praktikë diplomatike që vendimet e dekretet që dalin nga Zyra e Presidentit të publikohen nëpër rrjetet sociale, një gjë të tillë nuk e ka bërë as presidentja Vjosa Osmani e as stafi i saj, për t’u kursyer nga kritikat eventuale për një emërim të tillë. Vendimi është publikuar vetëm në uebfaqen zyrtare të Presidencës. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 19 Maj 2024