Edhe pse nënshkroi një kontratë të vlefshme deri në vitin 2025, Neymar do të ishte afër një largimi nga Parc des Princes. Braziliani u vu sërish në shënjestër të sharjeve dhe mallkimeve të tifozëve, përkrah Leo Messit, pas eliminimit nga Champions League dhe e ardhmja e tij duket të jetë larg kryeqytetit francez.
Edhe pse shkruhej se futbollisti që mbetet transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit, 222 milionë euro, do të kishte marrë oferta të shumta, braziliani do të shqyrtonte vetëm një opsion. Sipas “Mundo Deportivo”, Neymar do të ishte i gatshëm të luante vetëm për Manchester United, një skuadër që tashmë ka shfaqur interes për transferimin e tij.
Manchester United, i vetmi klub që e dëshiron Neymar
Kështu, Neymar do t’ia kishte ekspozuar qartë synimet e tij drejtuesve të PSG-së. Nëse transferimi te Manchester United nuk realizohet, atëherë ai dëshiron të përfundojë kontratën me Paris Saint-Germain.
“Djajtë e Kuq” do të ishin të kënaqur me transferimin e Neymarit, por lëvizja është e ndërlikuar, jo vetëm në kuadrin e shumës që duhet t’u ofrojnë parizienëve, por edhe për shkak të kontratës së madhe që braziliani ka me PSG-në. Lojtari është me një nga pagat më të larta në Evropë dhe një transferim te United mund të ndodhë nëse pranon një tarifë më të ulët. /Demokracia.com