Sport
Nexhipi rrëfen gjithçka rreth Ballkanit: Dritën e shoh rivalin më të madh për titull, në janar do të ketë prurje por edhe largime
Demokracia
18:08 | 16 Dhjetor 2021

Share:

Vendi i tretë në tabelë, aty ku skuadra suharekas e mbylli pjesën vjeshtore në Superligën e Kosovës në futboll, nuk është objektiv i Ballkanit.

Megjithatë, kjo pozitë nuk është shumë shqetësuese tash për tash pasi Ballkani,  është vetëm dy pikë larg kreut te tabelës dhe në pranverë mund të përmbysë gjithçka, shkruan Demokracia.com.

Sigurisht ardhja e disa njerëzve profesionistë në skuadër si kjo e Nderim Nexhipit, Ballkanin e ka bërë njërën prej skuadrave më të organizuara në vend dhe me të drejtë cilësohet si kryesore në luftë për titull.

Nexhipi në një bisedë të gjatë për Demokracia.com, ka rrëfyer gjithçka rreth skuadrës së Ballkanit. Ai ka analizuar stinorin vjeshto, pritshmëritë për pranverën, prurjet, largimin si dhe për skuadrën që e shohin si rivalin më të madh të Ballkanit në luftë për titull.

“E kemi mbyllur sezonin në vendin e tretë me një diferencë prej dy pikë e që në futboll nuk është shumë. Në përgjithësi kemi mundur të marrim  më shumë pikë, kjo pasi kemi pasur ndeshje ku e kemi merituar tre pikshin por nuk e kemi marrë. Gjithsesi, si ne si ekipet tjera që janë pretendentë kanë lënë shumë pikë në këtë gjysmë stinor”, ka thënë Nexhipi i cili beson se në fund Ballkani do ta arrijë objektivin.

“Sigurisht, deri nuk përmbyllet gjithçka në mënyrën e duhur nuk jemi të kënaqur, por jemi në garë për titull dhe kjo na intereson. Do të përgatitemi sa më mirë për gjysmëstinorin e dytë dhe këto gabime që i kemi bërë tash mos të na përsëriten, dhe të luftojmë deri në fund për titullin kampion”, ka thënë Nexhipi.

Ish-futbollisti i njohur, që për një kohë të shkurtër luajti edhe në Kosovë tek Drita, ka thënë se kampionati është shumë interesant dhe i luftuar shumë.

“Ka qenë një vjeshtë interesante. E kemi filluar mirë garën dhe me ekipet që kanë qenë pretendente kemi marrë maksimumin deri në këtë ndeshjen e fundit me Gjilanin. Në këtë ndeshje nuk e merituam humbjen,  por në futboll kur nuk i shfrytëzon rastet që kishim atëherë kundërshtari të ndëshkon dhe me një goditje të vetmen në portë e humbëm atë ndeshje. Po e përsërisë, është një kampionat interesant dhe ka shumë ekipe të cilat janë të vështira për t’u mposhtur dhe pranvera besoj se do të jetë shumë interesante dhe do të ketë përballje të mëdha”, ka vlerësuar Nexhipi.

Gjithsesi, për të arritur te titulli, Ballkani duket se e ka ndërmend të bëjë edhe një ndërhyrje në ekip gjatë janarit, edhe pse Nexhipi nuk jep shenja se do të ketë ndryshime të mëdha.

“Me 1 janar hapet më merkato. Ne do të ulemi më gjithë stafin dhe do të diskutojmë se cilat janë mundësitë dhe kërkesat që do t’i ketë trajneri dhe do të mundohemi t’i plotësojmë. Besoj se ndërhyrje nuk do të ketë shumë pasi ekipin e kemi të kompletuar, por 2-3 mund të na vijnë si përforcime dhe sigurisht që do të shohim a do të ketë largime nga klubi, pasi kemi pasur një grumbullim të madh të lojtarëve. Sido qoftë, në diskutime me stafin dhe trajnerin do të merren vendimet. Do të punojmë shumë që sa më të plotësuar ta fillojmë pranverën”, tha drejtori i skuadrës së Ballkanit, Nderim Nexhipi.

Për fund, sa i përket rivalëve, Nexhipi ka thënë se skuadrën më të rrezikshme e sheh Dritën, por nuk i anashkalon as rivalet tjerë, madje as Prishtinën.
“Të gjitha ekipet që janë aty katër ekipet e para, duke mos e përjashtuar edhe Prishtinën e cila nuk ka pasur një ecuri të mirë, janë pretendent për titull. Për mua personalisht Drita është ekipi më rival që do ta kemi në luftë për titull.  Po e përsërisë pa e anashkaluar apo nënvlerësuar asnjë skuadër tjetër, në syrin tim Drita është më shumë e kompletuar”, ka përfunduar Nderim Nexhipi.

Të kujtojmë se në pozitën e parë në tabelë është Gjilanin me 35 pikë që u shpall dhe kampion vjeshtor, i ndjekur nga Drita me 34 ndërsa Ballkani i treti me 33 pikë. /Demokracia.com

Të ngjashme