Sport
Newcastle e zyrtarizon Tonalin
Demokracia
14:09 | 03 Korrik 2023

Share:

Newcastle United e ka zyrtarizuar transferimin e Sandro Tonalit nga Milani.

Klubi anglez ka njoftuar përmes uebfaqes së vetë zyrtare se 23 vjeçari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, deri në vitin 2028.

Bardhezinjtë nuk e kanë specifikuar shumën e transferit, por kanë thur lavde për përfaqësuesin italian, i cili mund të jetë një pasuri në mesfushën e ekipit nga St. James’ Park.

Tonali ishte pjesë e Milanit nga viti 2020, ndërsa ishte transferuar në klubin e zemrës nga Brescia.

Para një viti ai e ndihmoi ekipin Kuqezi të shpallej kampion i Italisë, ndërsa në edicionin e fundit që të shkonte deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Tonali përmes një postimi në rrjetet sociale e ka falënderuar Milanin për mundësinë që ia dha, duke thënë se shpreson që kjo të mos jetë një lamtumirë, por një mirupafshim, ndërsa tash mezi pret ta nisë eksperiencën e re në Premierligë.

“Fillimisht, dua ta falënderoj Newcastlen sepse po ma jep një mundësi të madhe në karrierën time. Dua ta shpaguaj besimin në fushë, duke e dhënë maksimumin, siç e kam dhënë gjithmonë. Mezi pres të luaj në St. James’ Park, nuk më pritet ta dëgjoj atmosferën e nxehtë të tifozëve”, ka thënë Tonali për uebfaqen zyrtare të Newcastlet.

Trajneri Eddie Howe mezi po pret të punojë me mesfushorin kreativ, të cilin e konsideron si një talent të jashtëzakonshëm, i cili do ta ndihmojë ekipin me aftësitë mentale, fizike dhe teknike që i posedon, shkruan “Gazeta Express”.

Thuhet se sheikët e Newcastlet i kanë paguar 80 milionë euro për kartonin e lojtarit.

Tonali është pjesë e rregullt edhe në Kombëtaren italiane, me të cilën i ka zhvilluar 14 ndeshje.

Të ngjashme