ShowBiz
Netflix sjell një serial të ri për vdekjen misterioze të shtatë personave nga Çikago, bazuar në një histori të vërtetë
Demokracia
21:52 | 28 Maj 2025

Share:

Netflix prezantoi një serial të ri dokumentarësh “Cold Case_ The Tylenol Murders”, i cili heton një nga rastet e pazgjidhura në historinë amerikane, vdekjen misterioze të shtatë personave nga Çikago në vitin 1982.

Ky rast tronditi të gjithë botën dhe nisi një nga hetimet më të mëdha kriminale në historinë e ShBA-së. Shtatë persona nga Çikago vdiqën në vitin 1982 pasi konsumuan pilula dhimbjesh Tylenol për të cilat nuk e dinin se ishin të kontaminuara me cianur.

Dokumentari, me regji nga Yotam Guendelman dhe Ari Pines dhe prodhim nga Joe Berlinger, sjell njohuri të reja dhe teori të papritura. Edhe pse publiku ishte i bindur në atë kohë se ky ishte një rast i izoluar helmimi, dokumentari zbulon se pas gjithë kësaj mund të fshihet jo vetëm një vrasës serial, por edhe një komplot dhe mbulim potencialisht shqetësues.

“Para vitit 1982, askush nuk mendonte se një shishe qetësuesish mund të ishte vdekjeprurëse. Sot, çdo vulë sigurie në paketimin e ilaçit na kujton atë moment tragjik kur një qetësues i zakonshëm u bë armë vrasjeje. Dokumentari ynë ofron një perspektivë të re mbi këtë rast kompleks dhe misterioz dhe shpresojmë se do t’i sjellë familjet e viktimave një hap më afër përgjigjeve që kanë kërkuar për dekada të tëra”, pohojnë producentët.

Seria dokumentare përfshin intervista me anëtarë të familjeve të viktimave, hetues që punuan në këtë rast dhe të dyshuarin kryesor, James Lewis, i cili vdiq në vitin 2023.

Lewis u arrestua për shantazh ndaj Johnson & Johnson, por nuk u akuzua kurrë zyrtarisht për vrasjet. Në dokumentar, ai flet sinqerisht për arsyet e shkrimit të letrave të shantazhit dhe krimet e tij të mëparshme. Vetëm dy ditë pas premierës së tij, Cold Case: The Tylenol Murders u bë seriali i dytë më i shikuar në Netflix, pas serialit dramatik Sirens. Shikuesit anembanë botës po ndajnë reagimet e tyre nëpërmjet mediave sociale, dhe komentet janë plot kënaqësi dhe tronditje.

“Ky dokumentar për Tylenol në Netflix është absolutisht i çmendur”, “Gjithmonë më tërheqin historitë e vërteta dhe ky dokumentar analizon thellësisht një nga rastet më të tmerrshme të pazgjidhura në historinë amerikane. E rekomandoj me gjithë zemër”, “Askush nuk e dinte se kush mund të ishte viktima e radhës”, ishin vetëm disa nga komentet.

Shumë veta pajtohen se dokumentari është njëkohësisht “i frikshëm, bindës dhe shqetësues” dhe do të jetë një hit i ri për fansat e dokumentarëve të krimit të vërtetë.

Të ngjashme