Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ekipin e tij negociator të kthehet nga Katari, ku po zhvilloheshin bisedime mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gazë.
“Pas rreth një jave kontaktesh të tensionuara në Doha, ekipi i lartë negociator do të kthehet në Izrael për konsultime dhe nivelet e punës do të mbeten në Doha në këtë fazë”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, raporton BBC.
“Izraeli pajtohet me propozimin e SHBA-së për kthimin e pengjeve bazuar në përshkrimin e të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff”, thuhet më tej në deklaratë.
Plani i Witkoff parasheh që Izraeli të lejojë një armëpushim 50-ditor në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve të mbetura menjëherë dhe pjesa tjetër të lirohet nëse më pas arrihet një marrëveshje.
“Ky propozim i është përcjellë Hamasit së fundmi përmes ndërmjetësve, por ai vazhdon t’i përmbahet refuzimit të tij”, thuhet po ashtu në deklaratë.
Ndërkohë, Hamasi e ka akuzuar Netanyahun se ka hyrë në bisedime me keqbesim dhe me pretendimin për pjesëmarrje.
“Asnjë negociatë të vërtetë nuk ka pasur që nga e shtuna e kaluar”, kanë thënë ata në një deklaratë të martën.