Lajme
Netanyahu: Izraeli nuk pranon armëpushim në këmbim të lirimit të pengut izraelito-amerikan
Demokracia
10:21 | 12 Maj 2025

Share:

“Negociatat do të vazhdojnë nën presion, gjatë përgatitjeve për një intensifikim të luftimeve”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se vendi që ai udhëheq nuk ka rënë dakord për asnjë armëpushim apo për lirimin e të burgosurve me Hamasin, por vetëm për një korridor të sigurt që të mundësojë lirimin e pengut izraelito-amerikan, Edan Alexander.

“Negociatat do të vazhdojnë nën presion, gjatë përgatitjeve për një intensifikim të luftimeve”, tha zyra e Netanyahu në një deklaratë.

Në ofertën më të fundit të Izraelit për Hamasin, ata kishin propozuar lirimin fillestar të 10 pengjeve në këmbim të një armëpushimi 45-ditor dhe lirimin e të burgosurve palestinezë, me premtimin për diskutime të mëtejshme për përfundimin e luftës dhe rivendosjen e ndihmës për Gazën.

Për herë të parë, Izraeli kishte kërkuar çarmatimin e plotë të Hamasit si pjesë e marrëveshjes – një kërkesë që grupi militant ka thënë se është një vijë e kuqe.

Në javët e fundit, trupat izraelite kanë marrë nën kontroll rreth 30% të Gazës, duke përfshirë pjesë të Rafahut.

Më shumë se 1 mijë 600 njerëz në Gaza janë vrarë që nga rënia e armëpushimit, me 15 persona, përfshirë 10 anëtarë të të njëjtës familje, të vrarë në sulmet ajrore gjatë natës.

Të ngjashme