Lajme
Nesër skadon afati për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato RKS
Demokracia
23:54 | 14 Dhjetor 2023

Share:

Të premten përfundon afati shtesë i Qeverisë për qytetarët e veriut që t’i ndërrojnë targat nga ato që tashmë janë ilegale në ato RKS. Interesimi i madh që ishte para një muaji për t’i ndërruar targat e veturave, ka rënë në ditët e fundit. Policia njofton se pas përfundimit të afatit, kudo që hasin vetura me tabela ilegale do të gjobitën.

Vetëm edhe nesër kjo veturë me targa ilegale do të mund të qarkullonte rrugëve të veriut. Andaj pronari i saj, në ditën e fundit të afatit e ka sjellë veturën në qendrën e kontrollimit teknik dhe ndërrim targash.

“Një ditë para përfundimit të afatit për ndërrimin e targave ilegale në ato RKS, shihet interesim i vogël i qytetarëve për ndërrimin e targave këtu në qendrën e kontrollimit teknik të automjeteve në veri të Mitrovicës” Interesimi gjatë së enjtes ishte i vogël edhe në qendrat e kontrollimit teknik në pjesën jugore të qytetit.

“Deri tani i kemi 3 mijë e 300 vetura ka mundësi edhe nesër arrin deri në 3400 vetura, por numri ka qenë më i vogël në këtë 15 ditësh. Ka qenë interesimi i qytetarëve që na ka shty që ne me bë kërkesë tek Ministria e Punëve të Brendshme nëpërmjet hierarkisë tonë komanduese, kërkesa të tjera nuk kemi dhe në fakt nuk ka ndonjë arsye që shihet e nevojshme nga ana e Policisë që të ketë sërish shtyrje të afatit. Sidoqoftë Qeveria vendos”, ka thënë per RTK-ne, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani

Por cili do të jetë veprimi i Policisë pas përfundimit të afatit?

“Të shtunën Policia në rast se has në këto vetura, ndalohen, ju merren targat, i shqiptohet tiketat 150 euro, i konfiskohet leja e qarkullimit të veturës, shoferi lejohet që veturën ta largoj nga qarkullimi. Në rast se hasim përsëri në të, të njëjtën do ta konfiskojmë dhe do ta dërgojmë në Doganë”, ka thënë Elshani.

Qytetarët e komunave veriore, vetëm edhe nesër do të kenë mundësi që të pajisen ma targa të Republikës së Kosovës dhe t’i largojnë ato ilegale.

Të ngjashme