Komisioni parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e mbajtur gjatë ditës së mërkurë ka diskutuar për Projektligjin për Trustin e cili është hartuar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht nga deputeti Bekim Haxhiu.
Mirëpo, edhe pse për tërheqjen e kursimeve janë pajtuar të gjithë partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, kundër tërheqjes është pozicionuar vetëm Lëvizja Vetëvendosje.
Për të mbështetur iniciativën e tërheqjes së kursimeve pensionale, nesër një grup i qytetarëve do të mbajë protestë.
Adnan Jashari, organizator i protestës, në një prononcim për Demokracia.com ka treguar në detaje se protesta është gjithëpopullore dhe nuk ka lidhje me ndonjë subjekt politik.
“Protesta është gjithëpopullorë dhe nuk ka të bëjë parimisht me asnjë parti politike, nuk është kauzë politike e ndonjë partie, por thjeshtë një kauzë për lejimin e tërheqjes së 30%. Partitë politike opozitare na kanë premtuar mbështetje për votën pro në Kuvend, sa i përket protestës e kanë lënë në dorën tonë dhe nuk ka interferime”, tha Jashari.
Sipas tij, partitë opozitare nuk do të jenë të pranishme në protestën e cila do të mbahet nesër.
“Opozita nuk e ka konfirmuar, por qytetarët pa dallim edhe ata që janë përkrahës të qeverisë do të dalin në protestë dhe të protestojnë për lejimin e tërheqjes së 30 %”, tha ai.
Jashari ka treguar edhe arsyet pse duhen të bashkëngjiten nesër qytetarët në protestën e tyre.
“Trusti duhet të tërhiqet për shkak të gjendjes së vështirë të qytetarëve shkaku i çmimeve dhe shkaku që qeveria nuk ka marrë masa tjera që do ta lehtësonin këtë gjendje. Qytetarët nuk do të ndalen deri në realizimin e qëllimit tonë, nëse nuk votohet do te ketë revoltë edhe më të madhe për shkak të gjendjes në të cilën ndodhemi”, tha ai.
Tutje ai ka thënë se arsyet e qeverisë nuk qëndrojnë për shkak se me ndryshimin e sistemit pensional ku gjenerata paguan për gjeneratë nuk do te kishte problem për qytetarët që dalin në pension./Demokracia.com/