Lajme
Nesër përsëri zgjedhje në Tërnoc, Kamberi: Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri
Demokracia
16:44 | 29 Qershor 2022

Share:

Në Tërnoc të Bujanocit nesër do të përsëriten zgjedhjet parlamentare për Kuvend të Serbisë.

Shaip Kamberi bartës i listës Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar, ka kërkuar edhe një herë votën e shqiptarëve të fshatit Tërnoc të Bujanocit, përcjell Demokracia.com.

Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se është i vetëdijshëm se këto zgjedhje edhe janë bërë të bezdisshme për shqiptarët e këtij fshati, por siç theksoi ai, nuk bëhet fjalë për të si individ, por për përfaqësimin e të gjithë shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Ai i ka bërë apel tërnocasve që të dalin nesër në zgjedhje pasi siç u shpreh Kamberi, kjo është një betejë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, pasi është një luftë jo vetëm thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri, shkruan tutje Demokracia.com.

Postimi i plotë i Kamberit, pa ndërhyrje:

Të nderuar Tërnocas,

Nesër, më 30 qershor, sërish do të kemi zgjedhje. Zgjedhje për ta përmbyllur me sukses betejën tonë të stërgjatur për përfaqësim të denjë. Betejë e cila po zgjatet për muaj,  jo me fajin tonë, por me fajin e atyre që nuk dëshirojnë të na shohin politikisht aktiv. Me fajin e atyre që na dëshirojnë të heshtur.

E kur je i heshtur je i harruar.

Nesër sërish po hyjmë në betejë mes të pabarabartëve. Betejë të rëndësishme me të gjithë ata që nuk dëshirojnë përfaqësimin tonë dinjitoz, me ata që shqiptarët i dëshirojnë për t,i numëruar si statistikë, por jo edhe për t,i parë aktiv politikisht.

Jemi në luftë, jo thjesht për të zgjedhur një deputet, por për drejtësi, barazi e liri. Nuk po kërkojmë asgjë më tepër veç trajtimit të barabartë si qytetarë, trajtim të dinjitetshëm dhe dhe të drejta jetike.

Të nderuar bashkëfshatarë,

Jam plotësisht i vedijshëm se kjo betejë për përfaqësism ka shkaktuar lodhje e frustrime të shumta të secili prej nesh,  u bë e mërzitshme dhe e bezdisëshme edhe për mua, por, alernativa e kësaj është dorëzimi. Dorëzimi ndaj atyrë që nuk na dojnë të mirën.

Kjo nuk është luftë për ta rehatuar një person, ashtu siç po tentojnë ta paraqesin disa.

Përfaqësimi nuk ka të bëjë me këtë, sespe fati i një personi është apsolutisht i parëndësishëm në raport me fatin tonë kolektiv. Në mesin e shumë të papunëve, edhe një më tepër nuk është diçka e veçantë e aq tragjike.

Në mossuksesin e nesërm tragjikja nuk do të mbetet se a e humbëm një vend pune, por se a e humbëm zërin tonë të arsyes dhe zërin tonë përfaqësues.

Beteja jonë e nesërme, më së paku ka të bëjë me një vend pune, beteja jonë e nesërme ka të bëjë me rezistencën tonë politike, artikulimin e kërkesave tona në mënyrë të qartë e të drejtë, vazhdimin e luftës për jetë dinjitoze.

Nënshtrimi dhe dorëzimi nuk është diçka që zgjedhin popujt e shtypur, nuk duhet ta zgjedhim as ne. Rezistencën ja kemi borxh dëshmorëve e gjeneratave e gjenerateve të njerëzve që janë flijuar për liri e drejtësi. Ja kemi borxh edhe atyre 9500 votave që i ka lista jonë në këto momente, të cilat do të shpërdohen pa 610 votat e lagjes së Strukarëve.

Nga Ju nesër varet se a do të kemi përfaqësim në luftën tonë për liri, barazi e të drejta, nga unë mandej do të varet që me përfaqësimin e denjë tu bëjë krenar gjithë juve në luftën tonë  dinjitoze.

Ashtu siç kam qenë i pakompromis në luftën për të dejtat e njeriut, ashtu siç ju kam përfaqësuar në mandatin e kaluar, do të vazhdoj të përfaqësoj edhe në të ardhmen, sespe lufta jonë nuk përfundon nesër. Nesër vetëm duhet t,i japim legjitimitet betejës dinjitoze për liri, barazi e të drejta.

Këtu më keni, jam në disponim me të gjitha kapacitetet e mia njerëzore e profesionale për të vazhduar angazhimin tonë të përbashkët për qëllimet e tona fisnike.

Me respekt për secilin prej jush.

Presim mbështetje maksimale për numrin 16 për Koalicionin e shqiptarëve të Luginës. /Demokracia.com/

Të ngjashme