Lajme
Nesër në 12:00 vazhdimi i seancës konstituive
Demokracia
17:42 | 16 Prill 2025

Share:

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet nesër në orën 12:00.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim të postuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

“Vazhdimi i seancës kontituive. Vendi: Salla e mbledhjes plenareKoha: 12:00″.

Një ditë më parë, Kuvendi dështoi t’i verifikonte mandatet e deputetëve të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Opozita e deritashme tha se votoi kundër me pretekstin se kryeministri dhe ministrat, duan të marrin post të deputetit “ende pa dhënë dorëheqje”.

E zyrtarët qeveritarë kanë thënë se pas përfundimit të mandatit, para certifikimit si deputetë, llogaritet të jenë efektivisht të dorëhequr. Kësisoj, edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se e ka dërguar një letër të konfirmimit të dorëheqjes te kryetari i deritashëm i Kuvendit.

Pas dështimit të verifikimit të mandateve, seanca u ndërpre.

Pas verifikimit të mandateve, në rend dite seanca pati betimin e deputetëve e më pas zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që seanca konstituive nuk mund të ndërpritet më gjatë se 48 orë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente.

Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.

Presidentja i kthen përgjigje Deharit: Obligoheni që seancën ta vazhdoni jo më vonë se brenda 48 orëve

 

 

Të ngjashme