Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka vendosur që nesër të mbahet një seancë me pikat e mbetura të rendit të ditës nga seanca e kaluar, e një ndër to është edhe Ligji për Pagën Minimale.
Të hënën e kaluar veteranët protestuan para Kuvendit të Kosovës, si shenjë revolte për mospërfshirjen e tyre në Ligjin për Pagën Minimale.
E një proteste e tillë pritet të mbahet edhe në ditët në vazhdim, pasi që në Kuvend nesër do të diskutohet për Ligjin për Pagën Minimale, raporton Demokracia.com.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje të gjithë veteranëve që të jenë të gatshëm për protestë dhe të jenë në kontakt me degët e OVL UÇK-së.
Postimi i plotë i Klinakut, pa ndërhyrje:
Të nderuar veteranë, invalidë dhe familje të dëshmorëve!
Nesër do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, dhe si pikë është përsëri miratimi i projektligjit për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit ky pushtet po do që t’i heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.
Nuk mund të organizojmë protestë për nesër, sepse është kohë e shkurtër. Ju duhet që të jeni në kontakt me degët tona në mënyrë që kur ju thërrasim të dilni sa më masovikisht. Nëse ky pushtet e ndryshon ligjin, ne ju thërrasim për protestë ku do të qëndrojmë aty deri në realizimin e të drejtave tona.
Thirrje deputetëve të pozitës dhe opozitës!
Mos e miratoni ligjin diskriminues ndaj kategorive të luftës, sepse do t’i bartni pasojat edhe ju sikur qeveria.
Dyfytyrësia e Glauk Konjufcës!
Në njërën anë futet në rend dite projektligji kundër veteranëve, e në anën tjetër shkon t’i vizitojë veteranët që gjenden në paraburgim në Hagë.
LEXO EDHE:
Opozita kërkon nga Qeveria që ta tërheq Ligjin për Pagën Minimale: Po diskriminohen veteranët