Lajme
Nesër bëhet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar që u gjet në Kaçanik
Demokracia
15:40 | 29 Prill 2025

Share:

Policia në Ferizaj ka njoftuar se të mërkurën nga ora 09:00 deri në ora 13:00, do të bëhet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar shpërthyes që u gjet një ditë më parë në fshatin Stagovë tė Kaçanikut.

Forcat e rendit kanë treguar për masat që duhet të respektohen gjatë shpërthimit të mjetit, transmeton Klankosova.tv

“Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes. Brenda kësaj zone ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive”.

Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten nga policia që të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale.

“Të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive.Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje”.

“Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive”.

“Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.

Policia Rajonale e Ferizajt thekson poashtu se do të bëjë njoftimin me kohë pas perfundimit të këtij operacioni.

Të ngjashme