Lajme
Nesër afati i fundit| A do të dërgohet Ligji për Byronë në Kushtetuese?
Demokracia
16:00 | 19 Shkurt 2023

Share:

Të hënën, me 20 shkurt 2023, përfundon afati prej tetë ditësh për ta kontestuar projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Gjykatën Kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës, me 9 shkurt 2023, miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Fillimisht deputetët votuan në pako 35 amendamentet e Komisionit për Legjislacion.

Rezultati i votimit ishte  66 vota për këto amendamente, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Tutje deputetët votuan për projektligjin së bashku me amendamentet e miratuara.

Rezultati i votimit ishte 66 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.

Mbështetje projektligjit i dhanë edhe deputetët e grupit parlamentar opozitar të LDK-së.

Gjatë seancës plenare, ishte deputeti i Grupit Parlamentar të PDK-së, Hajdar Beqa i cili tha se grupi punues nuk i është përmbajtur të gjitha atyre vërejtjeve që i ka dhënë Komisioni i Venecias.

Sipas Beqajt, krijimi i një agjencie për të hetuar jashtë sistemit të rregullt të drejtësisë, do të cenonte në esencë liritë dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë, si: paprekshmëria e pronës, si e drejtë themelore kushtetuese, siguria juridike e qytetarëve, cenimi i parimit të barazisë të qytetarëve para ligjit, cenimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, cenimi i të drejtave të privatësisë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe do të cenohet edhe Kushtetuta, në këtë rast përgjegjësitë kushtetuese të prokurorit të shtetit për ndjekje dhe hetim që ndodh në vend në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Betimi për Drejtësi”, ka dërguar pyetje deputetit Hajdar Beqaj dhe Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirit, nëse ky grup parlamentar do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, por deri me tash ata nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, 10 deputetë kanë të drejtën e kontestimit të kushtetuetshmërisë të çdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Nenit 113.5 të Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

Dita e tetë do të duhej të ishte data 17 shkurt 2023.

Meqenëse kjo datë është festë zyrtare, Dita e Pavarësisë dhe dy ditët e tjera janë ditë pushimi, dita e tetë i bie të jetë, 20 shkurt 2023, kur pala e autorizuar, në këtë rast dhjetë deputetë mund ta dërgojnë këtë ligj për ta kontestuar në Gjykatën Kushtetuese.

Pas kalimit të këtij afati, projektligji procedohet për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës brenda afatit prej tetë ditësh nga dita e marrjes së ligjit./BetimipërDrejtësi.

Të ngjashme