OpEd
Nëse nuk ndalet, pushtimi i Ukrainës nuk do të jetë i fundit nga Vladimir Putin
Demokracia
07:08 | 09 Maj 2022

Share:

Nga Leif Wenar “Wall Street Journal”

Nëse Vladimir Putin lejohet që të mbajë territoret që ka marrë për momentin nga Ukraina, kjo do të shkelte një nga pak mekanizmat më kuptimplotë të paqes në botën moderne: ndalimin e pushtimit me forcë të një territori të një shteti tjetër.

Perëndimi duhet të qëndrojë i vendosur kundër synimeve imperialiste të presidentit rus,  përndryshe bota mund të shohë një ringjallje të pushtimeve brutale që e kanë karakterizuar  historinë botërore përpara Luftës së Dytë Botërore.

Përpara vitit 1945, rregulli ndërkombëtar mbi pushtimet territoriale mund të përmblidhej me shprehjen latine “Vae victis” (Mjerë të mundurit!). Mbretërit, sulltanët dhe carët udhëhoqën fushata ushtarake të përgjakshme për të marrë territore nga njëri-tjetri dhe për të zgjeruar perandoritë e tyre jashtë vendit.

Rusia, Prusia dhe Austria e gllabëruan dikur plotësisht Poloninë. Osmanët pushtuan Evropën Lindore dhe Egjiptin. Siç thotë politologu Xhon Vaskez: “Nga të gjitha çështjet e mundshme për të cilat mund të luftojnë shtetet midis tyre, provat tregojnë se ato kanë të bëjnë kryesisht me territorin…”

Kjo prirje ndryshoi më në fund në vitin 1945. Në mesin e rrënojave të ekspansionizmit të dështuar gjerman dhe japonez, Karta e Kombeve të Bashkuara shpalli një rregull të ri për botën: Kufijtë nuk mund të ndryshohen më me forcë.

Ky rregull ndalues ka qenë çuditërisht i suksesshëm. Midis viteve 1945-1975, shkalla e pushtimeve territoriale të suksesshme ra në mënyrë dramatike. Ndërkohë, pas vitit 1976 asnjë anëtar i OKB-së nuk humbi ndonjë territor për shkak të forcës (përveç një mosmarrëveshjeje të vogël kufitare që përjetoi Egjipti me Izraelin).

Pra, për gati 40 vjet, megjithëse u zhvilluan shumë luftëra, u duk sikur ishte zhdukur kjo lloj lufte e veçantë. Kjo deri në aneksimin e Krimesë nga Putini në vitin 2014, me pushtimin e tij të realizuar përmes “burrave shtatshkurtër të veshur me uniforma të gjelbra”- ushtarë rusë me uniforma jeshile, por pa simbole – dhe më pas nëpërmjet një referendumi të paligjshëm.

Përgjigjja e dobët e Perëndimit ndaj pushtimit të Krimesë e inkurajoi Putinin që të pushtonte sërish këtë vit, dhe kësaj here në një mënyrë edhe më brutale. Bombardimet nga Rusia ndaj civilëve, për të mos përmendur masakrat mizore ndaj ukrainasve si ajo e Bucha-s, tregojnë se sa të egra mund të jenë luftërat për territore.

Putini synon një rikthim pas në filozofinë gjakatare që sundonte përpara Kartës së OKB-së. Në deklaratat e tij agresive, mund të dëgjohen fare mirë jehonat e ultra-nacionalistit gjerman Hajrih von Treitshke, që në vitin 1870 kërkoi aneksimin e rajonit të Alsas-Lorenës nga Franca si trofenë e luftës franko-prusiane:

“Këto territore janë tonat me të drejtën që na jep shpata. Dhe ne do t‘i marrim ato bazuar te një e drejtë më e lartë – të drejtën e kombit gjerman, që nuk do të lejojë që fëmijët e tij të humbur të mbeten të huaj për Perandorinë Gjermane”, shkruan CNA.

Përpara pushtimit të tij në fundin e muajit shkurt, Putini bëri pretendime të ngjashme irredentiste për mbrojtjen e rusishtfolësve në Ukrainë. Edhe pse shumica e njerëzve në Donbas nuk duan që të aneksohen (më shumë sesa shumica e alsasianëve), kjo nuk e ka penguar përpjekjen e presidentit rus për të rikrijuar “botën e tij ruse” mitike.

Udhëheqësit gjermanë synuan gjithashtu burimet natyrore të Alsas-Lorenës, siç dëshiron sot Putini në Ukrainë. Hitleri lakmonte minierat e hekurit në Lorenë. Putini dëshiron energjinë e bollshme të Ukrainës. Pjesët e Ukrainës që po përpiqet të pushtojë Putini përmbajnë gaz natyror dhe qymyr me vlerë rreth 1.4 trilionë dollarë.

Zoti Putin nuk është i vetmi udhëheqës i kohëve të fundit me synime ekspansioniste. Mendoni pak për sjelljen agresive të presidentit kinez Xi Jinping në Detet e Kinës Jugore dhe Lindore, apo të kryeministrit hungarez Viktor Orban që reklamon hartat skandaloze të “Hungarisë së Madhe”.

Në dhjetëra vende, pretendimet për territoret e huaja mund të përdoren për të nxitur mbështetjen për luftën. Dhe siç po e shohim tani, luftërat mund të lënë jashtë axhendës çështje të tjera ndërkombëtare. Problemet e zinxhirit të furnizimit, epidemitë, përhapja e armëve bërthamore, mund të lihen në hije nga dëshira e një njeriu për të aneksuar territoret e vendeve të tjera.

Perëndimi mund të dekurajojë aneksimet territoriale në të ardhmen, nëse e ndal sot Vladimir Putinin. SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të mbajnë në fuqi sanksionet e tyre më serioze – sidomos sanksionet financiare dhe bojkotimet e naftës dhe gazit rus – derisa trupat ruse të largohen nga Ukraina, refugjatët ukrainas të mund të kthehen në vendlindje, dhe deri kur në gjithë territoret e pushtuara deri më sot nga Putini të mbahen referendume të ligjshme të mbikëqyrura nga faktori ndërkombëtar.

Nëse Perëndimi nuk arrin të ndalë aneksimet e Putinit, kostoja do të jetë shumë e lartë. Numri i jetëve të humbura do të jetë shumë i madh, në rast se e ardhmja e luftës do të bëhet si e kaluara e saj. Libri i Zbulesës në Bibël, thotë se “Kalorësi i parë i apokalipsit hipi mbi një kalë të bardhë dhe u nis për të pushtuar”. Pa një veprim të vendosur nga Perëndimi në ndihmë të Ukrainës, Kalorësi i Bardhë i frikshëm mund të nisë të kalërojë sërish.

Shënim:Leif Wenar, profesor i filozofisë politike në Universietin e Stenfordit, SHBA.

Të ngjashme