Lifestyle
Nëse nuk është i ftohti, atëherë cilët janë shkaktarët e vërtetë të ftohjes?
Demokracia
14:07 | 08 Nëntor 2021

Share:

Temperaturat e ftohta mund të ndikojnë në shëndetin tuaj, por ato nuk mund të ju shkaktojnë drejtpërdrejt infeksion të tillë si ftohja e zakonshme.

Infeksionet e tilla shkaktohen nga bakteret, kërpudhat dhe viruset. Rinoviruset janë shkaktarët më të shpeshtë të ftohjes së zakonshme, siç citon Ronald Eccles në librin e tij “Common Cold”.

Për t’ju bërë të ndiheni të sëmurë, fillimisht një ‘agjent’ infektiv duhet të hyjë brenda trupit tuaj dhe më pas ta ‘mund’ sistemin tuaj imunitar. Ndërkohë që temperaturat e ftohta nuk të sëmurin drejtpërdrejt, efekti i të ftohtit në shëndet nuk është krejt i papërfillshëm.

Dr. E. G. Mourtzoukou zbuloi se temperaturat e ftohta kanë efekte të rëndësishme në shkallën e infeksionit, siç u botua në artikullin me titull

“Ekspozimi ndaj të ftohtit dhe infeksionet e traktit respirator”, transmeton Gazeta Express.

Temperaturat e ftohta nuk shkaktojnë drejtpërdrejt infeksione, por sigurisht që kanë një efekt. Public Domain Image, Credit: NOAA.
Thithja e ajrit të ftohtë bën që trakti juaj i frymëmarrjes të mos funksionojë siç duhet. Për më tepër, temperaturat e ftohta e ‘detyrojnë’ trupin tuaj të harxhojë më shumë energji sësa rëndom, në mënyrë që ju të mund të vazhdoni ta mbani temperaturën e nevojshme në mënyrë konstante, duke ju lënë kështu më pak energji në dispozicion për të luftuar mikrobet.

Ju mund të keni qenë tashmë të ekspozuar ndaj një infeksioni, e të mos e keni ditur. Pasi të kaloni shumë kohë në të ftohtë, trupi juaj zakonisht i përgjigjet stresit akut duke i sinjalizuar sistemit tuaj imunitar për të ulur aktivitetin e tij, gjë që mund t’i japë infeksionit mundësinë për të ‘lulëzuar’. Si rezultat, ju filloni të ndiheni të sëmurë. Pra, i ftohti nuk e shkakton drejtpërdrejt sëmundjen, por ai mund t’i përkeqësojë gjërat.

Krejt në fund: mos dilni në një mot të ftohtë dhe me dëborë me pallto të hapur, nëse tashmë veçse keni filluar të ndiheni të sëmurë. Po ashtu, mos kaloni shumë kohë jashtë, në mot shumë të ftohtë, nëse sistemi juaj i frymëmarrjes ndihet i irrituar.

Marrë nga: Science Questions with Surprising Answers
Nga: Dr. Christopher S. Baird – profesor i Fizikës në West Texas A&M University.

Të ngjashme