Lajme
“Nëse Kosova nuk e propozon vetë Statutin e Asociacionit, ndërmjetësit mund të kërkojnë zgjidhje jashtë Kushtetutës”
Demokracia
12:00 | 22 Maj 2023

Share:

Një letër publike e shkruar nga një diplomat i lartë perëndimor, i vendosur thellë brenda procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë letër, sugjerohet nevoja për një debat të mirëfilltë të brendshëm në Kosovë rreth hapave që duhet të ndërmerren sa i përket themelimit të Asociacionit.

Ky diplomat sugjeron që procesi ka arritur në një pikë kritike. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare ka disa pritshmëri të caktuara në lidhje me këtë proces dhe ato tashmë janë çimentuar. Dhe, sipas tij, Qeveria e Kosovës e di fare mirë se cilat janë ato pritshmëri. Në këtë letër, në mënyrë telegrafike, listohen dhe shpjegohen këto pritshmëri.

Diplomati po ashtu tregon që, për momentin, miqtë e Kosovës janë duke e kërkuar një model që akomodon pritshmëritë ndërkombëtare, por që njëkohësisht qëndron tërësisht brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Sipas këtij diplomati, kjo gjë është e nënkuptuar edhe në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Megjithatë, ky diplomat tërheq vërejtjen që nëse Kosova nuk propozon një model të vetin, atëherë procesi mund të devijojë. Sipas tij, qëndrimi në vendnumëro mund të krijojë situatën ku bashkësia ndërkombëtare mund të detyrohet të kërkojë zgjidhje jashtë kushtetutës.

Në fund të letrës, ky diplomat e kritikon qasjen e qeverisë ndaj procesit dhe kërkon seriozitet dhe përkushtim. Ai po ashtu e tërheq vërejtjen që me pranimin e Marrëveshjes Bazë, edhe Qeveria Kurti tashmë është pjesë e obligimeve dhe subjekt i pritshmërive ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Sipas burimeve të Albanian Post, në rast se Qeveria e Kosovës nuk propozon një model të vetin për Asociacionin, duke qëndruar fuqishëm prapa tij, shumë shpejt Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell mund të çimentojnë një model tërësisht të pafavorshëm për Kosovën, të bazuar në modele që nuk mund të akomodohen brenda kornizës kushtetuese të Kosovës.

Më poshtë e publikojmë letrën në tërësi, pa ndërhyrje:

Si do të duket Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe? Çfarë lloj organizate do të jetë? Cila përvojë evropiane është modeli referues?

Të gjitha këto janë pyetje esenciale në diskursin publik të Kosovës.

Populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhur duhet të dinë se çfarë presin miqtë e Kosovës të arrijnë. Në këtë pikë, një debat i shëndetshëm publik mund të jetë i dobishëm.

Më poshtë janë tiparet kryesore që komuniteti ndërkombëtar pret të përfshihen në Statutin e Asociacionit/Bashkësisë.

  1. Karakteri juridik i dallueshëm.

Veçantia ligjore e Asociacionit/Bashkësisë është e përfshirë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Një tipar vendimtar! Kjo do të thotë se personaliteti juridik i Asociacionit/Bashkësisë duhet të akomodojë brenda vetes kornizën e vetë-menaxhimit. Prandaj, Asociacioni duhet të jetë një Person Juridik i së Drejtës Publike me kapacitet për të adresuar çështjet në nivel komunitar.

  1. Kanali i drejtpërdrejtë i komunikimit me Qeverinë e Kosovës

Pala serbe ka bindur shumëkënd në komunitetin ndërkombëtar se, përkundër të drejtave të gjera të komuniteteve të ngulitura në Kushtetutë, askush në Prishtinë nuk dëshiron të dëgjojë dhe të merret me problemet e tyre. Prandaj, ata janë të detyruar që të kërkojnë partnerë dhe zgjidhje jashtë sistemit të Kosovës. Është e parëndësishme nëse kjo është e vërtetë apo jo, apo vetëm pjesërisht e vërtetë. Ajo që është e rëndësishme është se bashkësia ndërkombëtare pret disa angazhime dhe garanci, diçka që mund të krijojë një sistem funksional ku Qeveria e Kosovës ofron mundësi të mirëfillta për komunitetin serb për t’i dëgjuar dhe për të diskutuar me ta në mënyrë gjithëpërfshirëse.

  1. Raporti i komunitetit serb me Serbinë

Komuniteti ndërkombëtar e ka çimentuar me vendosmëri pozicionin e tij rreth premisës se komuniteti serb, si një komunitet vendas që jeton në Kosovë për shumë shekuj, ka të drejtën absolute të dijë se ku qëndron në lidhje me marrëdhëniet e tij me Serbinë, popullin dhe institucionet e saj. Çfarë do të ndodhë me shkollat e tyre? Po në lidhje me shërbimet e tyre sociale, kujdesin shëndetësor, etj?

Qeveria e Kosovës duhet të ofrojë një kornizë funksionale për të akomoduar si vazhdimësinë e këtyre shërbimeve ashtu edhe tranzicionin e ngadalshëm të tyre në sistemin e Kosovës. Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet të sigurojë një kornizë për të akomoduar të drejtën e Serbisë për të ndihmuar drejtpërdrejt (financiarisht dhe ndryshe) komunitetin serb në Kosovë.

Pjese nga letra
  1. Korniza e vetë-menaxhimit

Komuniteti ndërkombëtar pret që Kosova të sigurojë një kornizë për komunitetin serb të Kosovës që atyre u mundësinë aftësinë për të rregulluar dhe organizuar çështje specifike në nivel të komunitetit lokal. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka simpati për një model të caktuar, mund të jetë çfarëdo për sa kohë që ai funksionon dhe siguron thelbin e asaj që pritet. Modeli që do të zbatohet duhet të sigurojë komunitetin serb se zëri, pikëpamjet dhe opinionet e tyre kanë rëndësi dhe mund të bëjnë ndryshime në çështjet që lidhen me komunitetin.

Që të gjitha sa më sipër të ndodhin, ekzistojnë vetëm dy rrugë të mundshme: 1: Një zgjidhje ligjore shumë kreative brenda kornizës ekzistuese ligjore të Kosovës. 2: Ndryshimi i Kushtetutës.

Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 lënë të kuptohet që zgjidhja duhet gjetur brenda kornizës ligjore të Kosovës. Zyrtarët perëndimorë, përfshirë edhe SHBA-në, deklarojnë se preferojnë një model brenda kornizës ligjore të Kosovës. Korniza ekzistuese ligjore e Kosovës është mjaft liberale dhe akomoduese. Pas leximit të kujdesshëm, mund të gjenden formula ligjore që akomodojnë si nevojat legjitime të komunitetit serb ashtu edhe brengat e lidershipit kosovar. Megjithatë, procesi mund të humbasë nëse Kosova dështon të paraqesë një zgjidhje kreative brenda kornizës së saj kushtetuese dhe ligjore. Kosova duhet të reflektojë dhe ta trajtojë me seriozitet momentumin aktual.

Letra e Kurtit (Vizioni i Kryeministrit Kurti për zbatimin e Nenit 7, datë 2 maj 2023) lë përshtypjen se Kosova është në pritje të hartimit të një Statuti nga bashkësia ndërkombëtare. Ka disa probleme me këtë qasje. Le të rendisim të paktën dy.

  1. Pasi që Qeveria e Kosovës është mjaft e njohur me pritshmëritë e lartpërmendura, juristët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të hartojnë një Statut në përputhje me kornizën kushtetuese të Kosovës dhe pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare. Në fund të fundit, meqenëse është Kushtetuta dhe ligjet e tyre, ata duhet të kenë njohuritë dhe ekspertizën e nevojshme.
  2. Asnjë qeveri perëndimore nuk mund të përshihet (të paktën jo zyrtarisht) dhe të angazhojë resurse për të prodhuar një statut. Ka shumë gjëra që mund të shkojnë keq me këtë qasje, duke përfshirë rrezikun e humbjes së besimit të ndonjërës prej palëve. Siç tregoi eksperimenti i FES, në rastin më të mirë, gjithçka mund të kalojë përmes palëve të treta.
Pjese nga letra

Letra e Kurtit sugjeron gjithashtu se Qeveria e Kosovës mund ta ketë më të lehtë të punojë me diçka që i imponohet. Sikur udhëheqësit e Kosovës po na thonë që ata e kanë më të lehtë të thonë, “askush nuk na pyeti për këtë”, në vend që të marrin përgjegjësinë dhe të prezantojnë një propozim.

Udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësi dhe të zotërojnë veprimet e tyre.

Duke u pajtuar me Marrëveshjen Themelore të 27 shkurtit 2023, Qeveria aktuale e Kosovës tashmë është përkushtuar për gjithçka që bashkësia ndërkombëtare pret nga Kosova, përfshirë Asociacionin. Nuk ka ndonjë rrugë anash kësaj.

Udhëheqja e Kosovës dhe populli i saj duhet të kuptojnë se nëse, për shkak të pamundësisë së Qeverisë për të paraqitur një model që i plotëson pritshmëritë ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, ruan kornizën kushtetuese të Kosovës, është vetë Kosova që po e shtyn procesin drejt zgjidhjeve të llojit arbitrar.

Dhe ato kurrë nuk përfundojnë mirë.

Pjese nga letra

Të ngjashme