Lajme
Nëse do ta shkatërrosh armikun, bëj paqe – Rama me fjalët e Lincolnit i jep një mesazh të qartë Kosovës
Demokracia
18:17 | 14 Tetor 2023

Share:

Me fjalët e ish-presidentit amerikan, Abraham Lincoln, kryeministri shqiptar i ka dhënë një mesazh liderëve të Kosovës, duke i kërkuar të mos e humbasin shansin që kanë tashmë në duar, për të arritur një marrëveshje të mundshme me Serbinë.

“Nëse do të shkatërrosh armikun, bëj paqe”.

Këto fjalë të Lincoln-it solli ndërmend kreu i Qeverisë shqiptare, teksa shtoi se Kosova po e humbet me kalimin e kohës avantazhin e krijuar kundrejt Serbisë.

“Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor”, përkufizoi ai, gjatë një interviste në Euronews Albania.

Më tej, Rama shtoi se shqiptarët nuk i japin leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë.

Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, ravijëzoi Kryeministri.

Sipas Ramës, plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët.

Realiteti për të, përmes këtij plani, është që ka një mbështetje të fortë për të bërë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare të Kosovës.

Teksa, në mbyllje, tha se pyetja që duhet të shtrohet tashmë, është nëse palët kanë apo jo interes, që gjithçka të mbyllet njëherë e mirë./albanianpost.com

Të ngjashme