Superliga e Kosovës në futboll ka hyrë në fazën e katërt të garave e ku kanë mbetur edhe nëntë xhiro deri në fund të edicionit 2020/2021. Drita, kampionia në fuqi është duke u përgatitur maksimalisht për ta mbrojtur titullin edhe këtë edicion.
“Bardhekaltrit” pas 27 xhirove të zhvilluara ndodhen në vendin e parë me 58 pikë, tri më shumë se Ballkani (55) në vendin e dytë dhe katër më shumë se Prishtina (54).
Krahas titullit të fituar vitin e kaluar në javën e parafundit, në kampin gjilanas besojnë se do të arrijnë të triumfojnë sërish në kampionat.
Kapiteni i Dritës, Ardian Limani në një bisedë me Demokracia.com është shprehur optimist për titullin e kampionit, pasi siç ka thënë ai ata mund të menagjojnë çdo situatë brenda ndeshjeve, duke marrë parasysh edhe skuadrën që kanë.
“Patjeter që unë dhe skuadra besojmë që mund ta mbrojmë titullin kampion. Kjo për faktin se kemi skuadër të mirë dhe që mund ta menagjojmë çdo situatë brenda ndeshjeve”, tha Limani fillimisht.
Drita nuk do ta ketë të lehtë këtë rrugë. Gjilanasit kanë rivalë të fortë që janë të etur për t’u shpallur skuadra më e mirë e edicionit. Ballkani që nuk arriti titullin vitin e kaluar, e dëshiron me çdo kusht këtë vit. Derisa, Prishtina tash e sa vite është në kërkim të trofeut e cila gjithashtu do të luftojë me “mish dhe shpirt” për të.
Limani i vlerëson lartë dy ekipet rivale në këtë garë, duke i cilësuar rival të barabartë me Dritën.
“Nuk mund ta përjashtoj asnjërën skuadër, perkundrazi i shoh si rival të barabartë me ne. Ballkani dhe Prishtina janë skuadra shumë të fuqishme dhe këtë e dëshmon tabela dhe ndeshjet që kanë zhvilluar”, theksoi kapiteni Limani.
Për fund, Limani u ka premtuar tifozëve të klubit të njohur si “Intelektualët” se ai dhe bashkëlojtarët do të bëjnë më të mirën që t’i gëzojnë në fund. Ai u bën thirrje atyre që t’i përkrahin në çdo formë.
“Intelektualeve i bëj thirrje së pari që të na përkrahin në çdo formë, në çdo situatë, ashtu siç kanë bërë gjithmonë. Tani më shumë se kurrë na duhen pranë nesh, mirëpo meqenëse prania fizike është e pamundur ata do të gjejnë mënyra të ndryshme që të na mbajnë të motivuar. Ne do ta bëjmë më të mirën që t’i shpërblejmë në fund me titullin kampion”, përfundoi bisedën ai.
Drita e drejtuar nga tekniku shkupjan, Ardian Nuhiu do të ketë punë me Llapin xhiron e radhës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Klubi gjilanas aktualisht ka tri tituj të kampionit në histori. /Demokracia.com