Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje, që ia mundëson Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), bankës për zhvillim të Amerikës, për të sjellë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare në Kosovë, raporton Express.
Lajmin e ka bërë të ditur Ambasada Amerikane, përmes një komunikate drejtuar mediave.
“DFC ka kënaqësinë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan Marrëveshjen për nxitjen e investimeve, që forcon përkushtimin e SHBA-së për shtrirjen e veglave financiare në dispozicion për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, veçanërisht sektorit të saj privatˮ, tha John Jovanovic (Gjon Jovanoviq), zëvendës-nënkryetar i DFC-së dhe drejtor menaxhues për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun. „Ne shohim potencial të madh për DFC-në për të ndihmuar në mobilizimin e investimeve që krijojnë vende pune dhe mbështesin zhvillimin për popullin e Kosovës”, shtoi Jovanovic.
Ndryshe, Ligji i SHBA-së kërkon që çdo shtet, përfshirë edhe Kosova, të lidhë marrëveshje për nxitjen e investimeve (IIA) me SHBA-në që DFC-ja të ofrojë gamën e plotë të saj të prodhimeve financiare, që përfshijnë financim të borxhit, investime në ekuitet, sigurim të riskut politik dhe grante për ndihmë teknike.
“Nënshkrimi i sotëm pason vizitën që Adam Boehler (Adam Boler), kryeshefi ekzekutiv i DFC-së, ia bëri Kosovës në shtator. Gjatë asaj vizite, z. Boehler kishte nënshkruar deklaratë të përbashkët me kryeministrin Hoti për zgjerimin e fokusit të investimeve të DFC-së në Kosovë për forcimin e infrastrukturës transportuese, energjisë, teknologjisë dhe industrive të tjera”, thuhet në komunikatë.