Sport
Nënshkruhet marrëveshja mes palëve për stadiumin| “Fadil Vokrri” do të menaxhohet dhe shfrytëzohet nga FFK
Demokracia
12:08 | 31 Dhjetor 2022

Share:

Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës kanë arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës për stadiumin “Fadil Vokrri”. Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti Agim Ademi dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama. Sipas kësaj marrëveshje, stadiumi “Fadil Vokrri” edhe për pesë vjet të tjera do të vazhdojë të menaxhohet dhe të shfrytëzohet nga FFK-ja.

Presidenti Ademi në emër të Komitetit Ekzekutiv dhe të komunitetit të futbollit e ka falënderuar të parin e Prishtinës dhe stafin e tij që menaxhimin e këtij impianti të rëndësishëm ia ka besuar FFK-së, në mënyrë që bashkërisht të vazhdojë mirëmbajtja e tij por dhe investimet në riparimin e fushës e pjesët e tjera të objektit.

Kreu i FFK-së ka theksuar se ky objekt është interes nacional, duke pasur parasysh se është arena e vetme në të cilën zhvillohen ndeshjet e Kombëtares, por edhe të klubeve tona në arenën evropiane.

Ai ka thënë se menjëherë do të fillohet në përmirësimin e fushës, në mënyrë që ajo të jetë në gjendjen më optimale për ndeshjet e ciklit kualifikues për Euro 2024, të cilat fillojnë në muajin mars, 2023.

Presidenti Ademi, po ashtu, ka shprehur gatishmërinë e FFK-së për investime kapitale në këtë stadium në të ardhmen, bashkë me komunën dhe me ministrinë e Sportit, duke përfshirë projektin e rritjes së kapacitetit, por edhe të modernizimit të mëtejmë të objektit në tërësi, pasi siç ka thënë, ky stadium është simbol jo vetëm i kryeqytetit, por edhe i vendit tonë.

Presidenti Ademi shprehu shpresën se në këtë afat pesëvjeçar të menaxhimit dhe shfrytëzimit të stadiumit “Fadil Vokrri”, kryeqyteti dhe FFK-ja do të bëhen me stadium të ri, i cili do të mundësonte kushte edhe më të mira për ndeshjet ndërkombëtare, por njëherësh edhe shkarkim të stadiumit “Fadil Vokrri” nga mbingarkesa e ndeshjeve.

Të ngjashme