Lajme
Nënkryetarja e LDK-së: Projekti me MCC-në s’është në kohë, pamë vështirësi në dimrin e fundit
Demokracia
21:14 | 26 Korrik 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, sonte në Uashington do të takohen me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Dy krerët e shtetit ndodhen për vizitë në SHBA, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit-MMC.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi Sadiku, në emisionin „RTK Prime“, ku po diskutohet për takimin e Osmanit e Kurtit me sekretarin Blinken, ka thënë se i gëzohen çdo avancimi të institicioneve të Kosovës me SHBA-në.

“Gjithsesi i gëzohemi çfarëdo avancimi të partneritetit strategjik që e kemi ndërtuar tash sa vjet me SHBA-në. Vendimi i Bordit të MCC-së për të aprovuar një fond kompakt për Kosovën në vlerë prej 200 milionë dollarëve është një lajm i mirë që dëshmon mbështetjen e përhershme të SHBA-sçë karshi Kosovës, sidomos në ato fusha që kemi nevojë, siç është fusha e energjisë„, ka theksuar Mjekiqi Sadiku në RTK.

Ajo tutje ka thënë se subjekti i saj politik shpesh ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të jetë në hap me kohën sa i përket projekteve të ndryshme, teksa ka thënë se edhe Marrëveshja e Programit Kompakt me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit-MMC që parasheh 236 milionë dollarë për investime në infrastrukturën energjetike është dashur të ndodhë më herët.

“Kemi qenë kritikë ndaj vonesave të shumta që i kishim në vitin e kaluar me emërimin e ambasadorëve etj. Nuk mund të them se edhe ky projekt është taman në kohë, sepse e dimë se burimet tona energjike kanë pasur nevojë për një diversifikim, po ashtu e dimë se duhet gjetur alternativa tjera që qytetarët tanë të furnizohen me energji elektrike. Pamë vështirësi të shumta në dimrin e fundit dhe nëse nuk ndërmerr diçka Qeveria në këtë drejtim, atëherë me këto probleme do të ballafaqohemi edhe në dimrin që vjen“, ka shtuar ajo.

Të ngjashme