Lajme
Intervistë: Nena Tromp: Gjenocidi i Serbisë në Kosovë mund të dëshmohet në gjyq
Demokracia
20:53 | 21 Maj 2021

Share:

Tribunali i Hagës në gjyqin kundër Milosheviqit ka grumbulluar mjaft prova që mund të shfrytëzohen në padinë e mundshme të Kosovës kundër Serbisë për gjenocid. Këto të dhëna dëshmojnë se i tërë shteti i Serbisë ka qenë i përfshirë, me paramendim, në fushatën për të vrarë e dëbuar popullatën shqiptare të Kosovës. Në një intervistë për Demokracia.com, Nevenka Tromp, që ka qenë analistja politike kryesore në gjyqin kundër Slobodan Milosheviqit dhe ka njohuri ekstensive për të dhënat e grumbulluara në TPNJ flet se çfarë duhet të bëjë Kosova për ta paditur me sukses Serbinë për gjenocid në Kosovë.

Demokracia.com: Si i komentoni paralajmërimet e liderëve të Kosovës se do të padisin Serbinë për Gjenocid?

Nevenka Tromp: Kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani përmendën mundësinë që të paditet Serbia për gjenocid, për krimet që RFJ, ose thënë më mirë Serbia, ka kryer gjatë regjimit të aparteidit të Serbisë në Kosovë, reagimi im i parë ishte: Më në fund!

Unë nuk jam juriste, por kam punuar në TPNJ apo Tribunalin e Hagës për gati 13 vjet, nga të cilat gjashtë vjet kam punuar në gjyqin e Sllobodan Millosheviqit. Kam punuar për Ekipin e Kërkimit – ku kemi hulumtuar dhe analizuar sjelljen e liderëve politikë dhe ushtarakë. Në mendje e kishim të qartë se Slobodan Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë gjatë konfliktit në Kosovë, mund të ishin – ose duhej të ishin akuzuar edhe për krimin e gjenocidit në Kosovë. Provat për një plan të paramenduar se si ta vejnë Kosovën nën kontrollin e Serbisë ishin më shumë se të mjaftueshme. Sigurisht, nëse ndiqet dinamika e shpërbërjes së Jugosllavisë, nga viti 1998 dhe trazirat në Kosovë, del se krimet në Kosovë po ndodhnin si rezultat i regjimit të aparteidit në Kosovë që filloi më 1990, pas miratimit të Kushtetutës së re të Serbisë, ku autonomia e Kosovës thjesht u zhduk. Ajo që pasoi ishte një seri ligjesh diskriminuese kundër shqiptarëve të Kosovës me të cilat qe instaluar një regjim i aparteidit me të cilin pakica serbe sundonte mbi shumicën shqiptare të Kosovës. Ajo që pasoi pas vitit 1995 ishte vazhdimi i politikës së represionit të shtetit serb kundër kosovarëve. Më 1998 kjo shtypje u shndërrua në një konflikt të plotë të armatosur e që u bë konflikt ndërkombëtar i armatosur në momentin që NATO nisi ndërhyrjen humanitare ose më mirë ushtarake kundër forcave serbe të sigurisë.

Demokracia.com: A ka prova për të dëshmuar gjenocidin dhe a mundet Kosova të padisë drejtpërdrejt Serbinë për gjenocid?

Nevenka Tromp: Juristët e TPNJ qysh në maj të 1999, kur akuzuan Millosheviqin, vendosën se krimet e kryera në Kosovë ishin: dëbimi dhe persekutimi i vazhdueshëm. Që nga viti 1999, e sidomos pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, Tribunali siguroi të gjitha arkivat e rëndësishëm të policisë në të gjithë Kosovën dhe nga këtu dolën edhe më shumë prova. Të gjitha këto materiale janë akoma të ruajtura në TPNJ – ose tani në IRMCT.

(IRMCT – The International Residual Mechanism for Criminal Tribunals / Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale, është një gjykatë ndërkombëtare e themeluar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 2010 për të kryer punët e mbetura të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ) dhe Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ruandën, pas përfundimit të mandateve të tyre gjegjëse.)

Gjithashtu është e rëndësishme të shtohet se kur bëhet fjalë për provat e mbledhura në gjyqin kundër Millosheviqit, Prokuroria siguroi shumë ditarë të luftës të oficerëve në detyrë aktive në Korpusin e Prishtinës të Armatës Jugosllave, ku janë planifikuar dhe ekzekutuar detajet e dëbimeve të civilëve. Provat më bindëse se këta ishin të vetëdijshëm për kriminalitetin e fushatës së Serbisë dalin nga ditari i luftës i një gjenerali policie, Obrad Stevanoviq, i cili përshkroi takimin në zyrën e Millosheviqit ku, në maj 1999, ata planifikuan të zhvendosnin kufomat e civilëve nga Kosova në Serbi. Ai kishte shkruar fjalinë: NUK KA TRUPA, NUK KA KRIM! Çfarë mund të jetë një pranim më i mirë i mendjes kriminale dhe kriminalitetit sesa përpjekja për të fshehur gjurmët e krimeve nga skena e krimit! Ditari i Stevanoviqit na tregoi se si i tërë lidershipi politik dhe ushtarak i RFJ-së – tani Serbia – komplotoi për ta bërë këtë. Ky takim implikon jo vetëm individë në planifikimin e gjenocidit, por edhe vet RFJ-në, dhe tani Serbinë, si shtet. Kur këta ditarë bëhen bashkë atëherë tregojnë shkallën e fushatës së paramenduar që synon ndryshimin e përbërjes etnike në Kosovë në favor të Serbisë. Vrasjet dhe dëbimet e popullatës shqiptare të Kosovës nuk ishte një efekt anësor i këtyre fushatave ushtarake, POR VET QËLLIMI.

Le të kthehemi tani te juridiksioni. Në cilën gjykatë mund të bëhet kjo? E vetmja gjykatë për paditë e gjenocidit ku gjenocidi mund të trajtohet në një nivel shtetëror – d.m.th. kur një shtet mund të fillojë një proces gjenocid kundër një shteti tjetër, është Gjykata Penale Ndërkombëtare – një gjykatë e KB-së me autoritetin më të lartë në botë.

Demokracia.com: Çfarë duhet të bëjë Kosova, si duhet të përgatitet për këtë proces?

Nevenka Tromp: Çështja që Kosova do të duhet të zgjidhë së pari, para fillimit të procedurave për ngritjen e padisë për gjenocid, është pozita e saj ligjore sepse Kosova nuk është një vend anëtar i KB-së. Një rast, tash vonë, na tregon se ekziston një rrugë rreth këtij problemi. Më 2019, një shtet i tretë, Gambia, nisi një procedurë gjenocidi në GJPN në emër të popullit Rohingya kundër Myanmar. Në rrethana ideale, Kosova mund të gjej një shtet miqësor që do të ishte i gatshëm ta bënte këtë në emër të shtetit të Kosovës dhe popullit të saj.

Për këtë Kosova do të duhet të shqyrtojë të gjitha opsionet e saj diplomatike dhe politike, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të ketë një ekip ligjor me përvojë që do t’i drejtohet GJPN-së në një mënyrë kreative dhe inovative; ndërsa është thelbësore që të koordinohen me ata që udhëhoqën ndjekjen penale të Sllobodan Millosheviqit për ta orientuar ekipin drejt provave më të mira. Besoj se në këtë mënyrë, Kosova ka një shans të mirë për të pasur sukses.

TPNJ filloi akuzat dhe gjyqin kundër Millosheviqit me krimet e Kosovës. Ishte rend i përmbysur i asaj se si ndodhi dhuna në luftë. Rendi logjik do të ishte rendi kronologjik: TPNJ duhet të kishte filluar gjyqin e Millosheviqit me krimet në Kroaci më 1991-92 dhe 1995, pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina (1992-1995) dhe duke përfunduar me Kosovën (1998-1998). Me këtë radhitje, akuzat për gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë do të përforconin argumentet që dëshmojnë qëllimin, dhe mendjen kriminale, që Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij aplikuan në Kosovë – me shqiptarët e Kosovës si grup etnik i mbrojtur që është kualifikim i nevojshëm për gjenocid. Në atë mënyrë Prokuroria do të kishte më shumë prova mbi qëllimin kriminal i cili për gjenocid përfshin shkatërrimin në tërësi ose pjesërisht të një grupi etnik, fetar, kombëtar ose racor.

Unë besoj se Kosova, udhëheqja aktuale e shtetit, ka një shans historik për të adresuar akuzat e gjenocidit kundër Serbisë. Unë do t’i këshilloja fuqishëm Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani që ta bëjnë këtë gjatë mandatit të tyre.

/Demokracia.com/

Të ngjashme