Republika e Kosovës sot shënon 16-vjetorin e pavaresisë së Kosovës. Ky përvjetor është më ndryshe nga të tjerët, sepse për herë të parë Republika e Kosovës e shënon Ditën e Pavarësisë me raporte të lënduar me partnerët e saj strategjik.
Më 17 shkurti të vitit 2028, në koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së, Kosova e kishte shpallur pavarësinë.
16 vite pas, Qeveria e Kosovës ka ndërmarr disa veprime të pakoordinuara me aleatët, të cilët kanë çuar në lëndimin e raporteve me aleatët perëndimorë.
Madje, veprimi i njëanshëm për të dërguar me polici kryetarët e katër komunave veriore në zyrat komunale kishte nxitur tensione në veri.
Këto veprime ishin bërë shkak që në qershor të vitit të kaluar Kosova për herë të parë të futet nën masa ndëshkuese të BE-së.
Pavarësisht masave të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për të de-eskaluar situatën, BE-ja nuk ka treguar gatishmëri për t`i larguar ato.
Zyrtarët qeveritarë kanë bërë me dije se janë plotësuar të gjitha kushtet për largimin e këtyre masave, kurse zyrtarët e BE-së kanë vlerësuar se institucionet e Kosovës ende kanë punë për të bërë.
Këto sanksione janë duke e dëmtuar Kosovën në dy rrafshe. Përveç në aspektin e imazhit, si i vetmi vend në Evropë që është nën masa të BE-së, këto masa kanë bërë që të bllokohen projekte të përkrahura nga BE-ja me vlerë mbi 300 milionë euro.
Veprimet e një anshme Qeveria nuk i ka ndalur as në fillim të këtij viti. Pavarësisht kërkesave të BE-së dhe SHBA-së për të mos e zbatuar rregulloren e re të BQK-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, BQK-ja këtë muaj ka filluar zbatimin.
Refuzimi i Kosovës për të pezulluar këtë rregullore ka bërë që SHBA-ja ta kritikon Kosovën si kurrë më parë.
Qortimi i SHBA-së për dinarin
Shkaku i refuzimit të kërkesave për dinarin, Shtetet e Bashkuara për herë të parë kanë bërë me dije se janë prekur raportet në mes të dy vendeve.
Në një konferencë për media, gjatë javës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka demantuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se raportet në mes të dy vendeve nuk janë prekur.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Ditë më parë, James O’brien, ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit, i shprehi publikisht shqetësimet e tij me Qeverinë Kurti rreth dinarit, duke e quajtur vendimin si “paaftësi qeverisëse”.
“Ai kuptoi shqetësimet, premtoi se do të punonte për to, por qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere…Unë nuk bëj kërcënime të vakëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, kishte thënë diplomati amerikan në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.