Lajme
“Negociatat për Statutin e Zajednicës” | Albin Kurti udhëton në Bruksel për ta “sjellur” Rusinë te Ura e Ibrit
Demokracia
12:40 | 01 Maj 2023

Share:

“Duam që ta ndalim njëherë e përgjithmonë Zajdenicën, përkatësisht të mos lejojmë ringjalljen e saj, për shkak se Presidenti i Zajednicës, larg qoftë nëse instalohet ajo, do ta ketë numrin personal të telefonit të Putinit, Medvedevit dhe Rogozinit, siç ka ndodhur me Millorad Dodikun në Bosnje. Pra, Dodiku sot është shumë më i afërt me Putinin sesa me Vuçiqin. Dhe, ne nuk mund të lejojmë tash që, jo vetëm ta forcojmë Serbinë, por edhe ta sjellim Rusinë te Ura e Ibrit”.

Kjo ishte një nga deklaratat e fuqishme të opozitarit Albin Kurti, kundër Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe që tregonte rrezikun që i kanosej Republikës së Kosovës nga jetësimi i tij.

Por, kështu më nuk mendon Kurti, tash kryeministër i Kosovës. Ai i ka dhënë fund kundërshtimit të Zajednicës më 18 mars në Ohër, në ditën kur arriti marrëveshjen me Serbinë, duke e bërë fuqiplote atë, në pikën 10 të saj, shkruan Demokracia.com.

Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin serb, Vuçiq, për të negociuar për statutin e ardhshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe apo Zajednicës. Statuti është dokumenti që do ta jetësojë Zajednicën, që Kurti e kishte shpallur të vdekur pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kësisoj, Kurti do të lë prapa të gjithë historinë e tij politike si kundërshtar i Zajednicës, duke e rikthyer vetën në një kryeministër që po e zbaton dhe rikthen në jetë plotësisht atë.

Për Kurtin, Zajednica ishte një kthim i Serbisë në Kosovë që do ta sjellë luftën për brezin e ardhshëm. “Zajednica për Kosovën është një kthim i Serbisë, i cili do të na e sjellë luftën për brezin e ardhshëm. Meqenëse, kur bëhen bashkë këto 10 komuna, një shtet brenda shtetit, atëherë, fëmijët tanë luftën e kanë te dera… Unë së paku kam shpresuar se ndoshta ky brezi ynë, që jemi gjallë tash, është i fundit që ka përjetuar luftë. Nuk ka brez shqiptarësh që nuk e ka përjetuar së paku një luftë. Ka breza edhe me nga dy-tri luftëra. Mirëpo, me këtë Zajednicë i garantohet lufta brezit të ardhshëm”, paralajmëronte Kurti për rrezikun.

Por, jo vetëm kaq. Për Kurtin, pranimi dhe zbatimi i Zajednicës ishte tradhti kombëtare dhe kushdo që e pranon atë është serbofil.

“Zajednica është e keqja më e madhe e Kosovës së pasluftës. Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush i cili nuk është serbofil. Vetëm nga pozita e një serbofilie mund ta pranosh Zajednicën dhe kjo po na ndodh tash. Kushdo që e argumenton pozitivisht Zajednicën është serbofil. Zajednica është Zajednicë e Serbisë për serbet sipas pikëpamjes së Serbisë, prandaj, edhe mbështetja e Zajednicës është serbofili”, akuzonte rëndë Kurti.

Por, pavarësisht këtyre rreziqeve për Republikën e Kosovës që i paralajmëronte Albin Kurti, ai ka vendosur që ta rikthejë në jetë “projektin e Serbisë në Kosovë”.

Me 2 maj, në Bruksel, Kurti që dikur thoshte se presidenti i Zajednicës do ta ketë numrin personal të telefonit të Putinit, Medvedevit dhe Rogozinit, ashtu siç ka ndodhur me Dodikun e Bosnjes, pritet ta bëjë hapin përfundimtar që përmes statutit të Zajednicës ta pajisë me “telefon” presidentin e ardhshëm të saj. /Demokracia.com/

“Zajednicën e ka vrarë Gjykata Kushtetuese” | Albin Kurti shkon në Bruksel për ta ritkhyer plotësisht në jetë “projektin e Serbisë”

Të ngjashme