Lajme
“Në të shkuarën doja të të vrisja”, prapaskenat e takimit të parë Thaçi – Daçiç në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton
Demokracia
18:40 | 21 Nëntor 2023

Share:

Para pak vitesh ishte botuar libri “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”, nga autorët britanikë Roger Boyes dhe Suzy Jagger. Libri biografik përmban jetën private dhe publike të presidentit Hashim Thaçi.

Në këtë libër, autorët britanikë japin detaje interesante sa i përket marrëdhënies së Thaçit me diplomatin amerikan, Holbrooke, negociatave për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, triumfit të Thaçit në zgjedhjet nacionale dhe negociatave me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Në kapitullin “Të merresh me armikun”, autorët britanikë kanë treguar për prapaskenat e dialogut Kosovë – Serbi, respektivisht takimin e parë të Thaçit me Daçiçin.

Atmosfera ishte e mbarsuar me tension”, kështu nis rrëfimi i autorëve britanikë.

Hashim Thaçi dhe Ivo Daçiç tashmë kishin hyrë në dhomë dhe zunë vend me një shtrëngim duarsh nga më të shkujdesurit. Daçiç kishte qenë një besnik i vërtetë, i palëkundur; ishte i ri, tej mase i zellshëm dhe një zëdhënës profesionist socialist për Millosheviçin. Thaçi e kishte urryer Millosheviçin deri sa ai vdiç në 2006 dhe nuk shihte asnjë arsye që t’i shpërfaqte serbit ndonjë gjë më shumë se sa thjesht minimumin e një kortezie”, shkruajnë britanikët në librin e tyre.

Tutje, ata kanë treguar sesi Baronesha Ashton kishte ftuar Thaçin dhe Daçiçin të merrnin fjalën. Daçiç, pa mundur të fshihte tërësisht emocionet, kishte folur i pari.

Në të shkuarën doja të të vrisja”, iu drejtua ai Thaçit. “Tani më duhet të të takoj”, ishte shprehur Daçiç.

Kjo nuk ishte mënyra me zemër të lehtësuar për të thyer akullin. Beogradi ishte në kërkim të Thaçit për dekada me radhë dhe jo vetëm gjatë kohës së Millosheviçit. “Le të themi kështu”, kujton Thaçi. “Unë nuk isha personi më i dashur për ta”. Shtatë urdhra arresti ishin lëshuar për kosovarin që prej 1993-shit si pjesëmarrës në organizatë të jashtëligjshme e përmbysje të regjimit.

Autorët britanikë kishin përmendur edhe disa momente tensioni mes dy negociatorëve, Thaçi dhe Daçiç.

Negociatat me Daçiçin po zvarriteshin dhe Thaçi nisi të humbiste vetëpërmbajtjen, duke përplasur këmbët nën tavolinë aq fort sa filxhanët e kafesë kërcyen jashtë pjatave. Sesionet mund të zgjatnin prej orës nëntë të mëngjesit deri në dy pas mesnate. Shpesh koha shpërdorohej nga nevoja e Daçiçit për t’u konsultuar me Beogradin”, tregojnë autorët e librit për mbarëvajtjen e negociatave. /Demokracia.com/

Të ngjashme