Lajme
“Ne, si shtete socialiste…” | Nga New Yorku, Kurti në kundërshtim me Kushtetutën e quan Kosovën shtet socialist, duke e renditur në listë me Kubën, Kinën, Vietnamin e Korenë e Veriut
Demokracia
14:39 | 29 Shtator 2024

Share:

“Dikush, diku, disi i paguan për këtë dhe kjo përbën aktivitet kriminal e ilegal, të cilin, NE, SI SHTETE SOCIALISTE e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”.

Kjo është një pjesë nga fjalimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mbajtur më 27 shtator 2024, në Presediumin vjetor të Internacionales Socialiste, i cili është mbajtur në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në prag të hapjes së Sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shkruan Demokracia.com.

Një deklarim i tillë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përmban të pavërteta dhe përveç kësaj, është edhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, e shpallur më 17 shkurt 2008, nuk është shtet socialist.

Lexo më shumë:

Kurti në fushatë kundër shtetit të vet edhe në forume ndërkombëtare | Para Internacionales Socialiste e portretizon Kosovën si vend të parave të pista dhe i sulmon mediat

KUSHTETUTA E KOSOVËS: REPUBLIKA E KOSOVËS ËSHTË SHTET DEMOKRATIK

Se çfarë shteti është Republika e Kosovës, është e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.

Në nenin 1 të Kushtetutës është përkufizuar qartë karakteri ideologjik i Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, thuhet në nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës.

Aktualisht, vetëm disa shtete në botë janë shtete socialiste, ndonëse në ditët e sotme është e vështirë që një shtet të jetë tërësisht socialist. Një shtet socialist është një vend që ndjek parimet e socializmit, pra idetë e socializmit në kuptimin marksist-leninist.

Kina, Kuba, Koreja e Veriut, Vietnami dhe Laosi, janë disa nga shtetet e pakëta në botë që ndjekin këto parime. /Demokracia.com/

Të ngjashme