Lajme
Në Shtimen e “çliruar” mbetet pa punë profesori, punësohet aktivistja e LVV-GUXO
Demokracia
12:04 | 19 Maj 2022

Share:

Përkundër që ishte më i miri në testin me shkrim dhe në intervistë, ish-profesori Veton Rexhaj ka mbetur pa punë për shkak se në vendin e tij do të punojë një aktiviste politike e LVV-Guxo, Valentina Halili-Ferati.

Konkursi i datës 3 shtator 2021 ishte anuluar nga komisioni vlerësues, raporton Demokracia.com.

Një reagim i gjatë nga ish-profesori i Gjuhës Frënge, Veton Rexhaj, ka ngritur dilema për punësimin e ish-kandidates për asambliste nga Lista LVV-Guxo në Shtime, Valentina Halili-Ferati, e cila është pranuar në punë në shkollën fillore të mesme dhe të ulët “Lasgush Poradeci” në Muzeqinë të Shtimes.

Ai ka përvojë shumëvjeçare në arsim, ku kishte dhënë mësim në Shkollën e Mesme të Lartë-Gjimnaz, Shkollën Profesionale, shkollat fillore dhe në shkollën “Cambridge School”.

“Faleminderit” Komuna ime për padrejtësinë që ma bëtë, vetëm e vetëm se duhej t’ia bënit venin e punës një kandidateje që ka qenë kandidate për asamble në radhët e VV-së. Por meqë ajo nuk u kualifikua dhe mbeti e papunë, atëherë duhet t’ia bënit një vend pune. Qoftë edhe duke i bere padrejtësi dikujt tjetër”, ka shkruar profesori Veton Rexhaj, përcjell Demokracia.com.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, para ardhjes në pushtet kishte premtuar depolitizim të arsimit, ndërsa ai tani po kujdeset që nëpërmjet Drejtorit të Arsimit, Lulzim Sahitit, si dhe u.d. drejtorëve politikë të shkollave të punësojë dhe rehatojë kundërligjshëm aktivistët e LVV-së dhe GUXO, me të cilët ishin në koalicion gjatë zgjedhjeve lokale.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me Drejtorin e Arsimit, Lulzim Sahitin, për ta pyetur pse është anuluar konkursi i datës 3 shtator i vitit 2021, por ai ka qenë i pa qasshëm.

Anëtarët e këtij komisioni, siç ka mësuar Demokracia.com nga burimet e saj, ishin Rexhep Hasani-kryetar dhe anëtarët Tringa Rushiti, Skender Bajrami, Lutfi Gashi dhe Labinot Rexhaj. Të sipërpërmendurit nuk ishin pjesë e komisionit të parë, por e komisionit në konkursin e fundit, ku është pranuar Valentina Halili-Ferati.

Rexhep Hasani për Demokracia.com ka deklaruar se në konkursin e datës 3 shtator 2021 nuk kishte qenë kryetar i komisionit përzgjedhës.

“Unë në atë kohë nuk kam qenë kryetar i komisionit. Unë jam në disa komisionet prej tyre, por në atë kohë nuk kam qenë kryetar”, ka thënë ai.

Demokracia.com ka provuar t’i marrë qëndrimet e tyre edhe nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni, por telefonat e tyre nuk kanë qenë të qasshëm. Edhe anëtari tjetër, Lutfi Gashi, për Demokracia.com ka dhënë të njëjtën deklaratë sikurse kryetari Hasani.

“Nuk kam qenë anëtar i këtij komisioni. Unë tash me komision në komunë jam që nga data 5 prill në disa konkurse”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me ish-profesorin Veton Rexhaj dhe ai ka konfirmuar se rastin e ka përcjellë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, pasi që në punë ishte pranuar në konkursin e parë të datës 03.09.2021, ndërsa me vonesë prej dy muajsh, pas ankesës së Valentina Feratit ishte anuluar konkursi i asaj date, për ta rishpallur përsëri në mënyrë që të pranohet aktivistja e LVV-Guxo.

“Është mbajtur konkursi i rregullt dhe kanë qenë 5 persona që na kanë marrë në pyetje, të cilët e kanë kontrolluar testin tonë. Unë kam qenë më i mirë se Valentina. E pasi jam zgjedhur fitues, ajo ka bërë ankesë kinse komisioni ka mbajtur anë në mua dhe kur e ka bërë ankesën, ka qenë qeverisja e Naim Ismajlit e nuk është shqyrtuar ankesa e saj. Pra, ka qenë duke u bërë ndërrimi i Qeverisë. Pastaj, kur ka ardhur Qeveria tjetër, e kanë rishqyrtuar ankesën e saj dhe me çdo kusht e kanë bërë që të më heqin nga aty e ta kthejnë atë, për shkak se ajo ka qenë më herët kandidate për asamble për Listën Guxo në listën e VV-së, por që s’ka fitu. E me këtë, asaj duhet që t’ia bëjnë një vend të punës dhe i kanë çuar procedurat se qysh ata kanë dashtë. Mua më kanë lënë jashtë e atë e kanë pranuar”, ka thënë Rexhaj për Demokracia.com.

Rexhaj tregon se ai ka pasur 89 pikë ne atë konkurs, kurse Valentina Halili-Ferati i ka marrë 70 pikë.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Valentina Halili-Feratin për t’ia marrë një qëndrim lidhur me këtë konkurs.

Ajo për Demokracia.com ka thënë se nuk është e vërtetë që ajo është pranuar në punë për shkak të marrëveshjes VV-GUXO.

“Nuk është e vërtetë, sepse unë e kam edhe ankesën. Sepse, kur e kam bërë shqyrtimin e ankesës, mua më është bërë padrejtësi shumë e madhe. E po ashtu e kam edhe ankesën që më është kthyer në mënyrë pozitive për shkak të shkeljeve që i kanë pasur më herët. Unë jam hequr me 180 kredi e aty kemi aplikuar dy kandidatë me 3-vjeçar e njëri kandidat ka aplikuar me 4-vjeçar të Bachelorit. E ketë të fundit nuk e kanë pranuar. Aty është pranuar ai kandidat me 3-vjeçar, ku ai vend ka qenë i imi. Është shpallur vendi i punës për shkak të Udhëzimit Administrativ të Komunës, e në momentin që kam bërë ankesë, ajo ankesë nuk është rikthyer hiq prej legjislaturës së mëhershme. E tash në momentin që ka ardhur legjislatura e tashme u zgjedh komisioni i ankesave, e kanë pasur patjetër që të më kthejnë përgjigje, sepse kanë gjetur parregullsi”, ka thënë ajo për Demokracia.com.

Ish-kandidatja e LVV-së dhe Listës Guxo ka konfirmuar fjalët e kandidatit Veton Rexhaj, se ajo në atë konkurs i ka pasur 70 pikë.

Halili-Ferati ka deklaruar se arsye e mungesave të saj ka qenë për shkak se fëmijën e ka pasur me shëndet jo të mirë.

“Esenca e mungesave është e raportuar te drejtori. Jam marrë me mjekimin e djalit dhe për atë arsye kam munguar”, ka thënë ajo.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ishte kritikuar edhe nga opozita për politizimin e sistemit arsimor dhe favorizimin e njerëzve të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. /Demokracia.com/

Të ngjashme