Lajme
Në shtator e sollën planin, në janar ‘merre ose leje’: Çka kishte ndodhur gjatë vizitave të 5 emisarëve në Kosovë?
Demokracia
08:38 | 21 Tetor 2023

Share:

Ajo që tani po njihet si “pesëshja e madhe” e emisarëve pritet që të arrijnë sot në Kosovë, për të shkuar më pas edhe në Serbi. Emisari evropian, Miroslav Lajçak e ai amerikan, Gabriel Escobar, të shoqëruar nga emisarët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë do t’i shkojnë në zyrë kryeministrit Albin Kurti. Se çka konkretisht do të ndodhë nuk dihet, por dihet që kjo vizitë e tyre vjen pas tensionimit të raporteve mes dy vendeve dhe pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. Çka kishte ndodhur në vizitat e kaluara?

Nacionale ka mësuar se emisarët do të arrijnë sot në Kosovë rreth orës 10:00. Nuk dihet se sa do të zgjasë takimi në zyrën e kryeministrit, por vizitën në Serbi, pritet që ta fillojnë nga ora 14:00.

Para disa ditësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano dha pak detaje në lidhje me këtë vizitë:

“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”.

Shtator

Për herë të parë, kjo pesëshe e diplomatëve kishte ardhur në Kosovë më nëntë shtator, dhe jo duarthatë. Ata e kishin sjellur planin franko gjerman, e cila ishte konfirmuar më pas nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Plani franko-gjerman, që më pas u njoh si plani evropian, është pikërisht Marrëveshja Bazë e arritur nga Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq më 27 shkurt.

Janar

Nga shtatori, deri para nënshkrimit të marrëveshjes ka pasur shumë pikëpyetje mbi atë nëse palët realisht kanë vendosur për pranimin e saj.

Megjithatë, më 20 janar të këtij viti, kur emisarët zhvilluan vizitën e dytë të tyre në Kosove Serbi, e bënë të qartë qëndrimin e tyre.

“Merre ose leje” – ky është propozimi për marrëveshjen. Kjo, ishte konfirmuar nga kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës.

“Dokumenti kryesor kësaj radhe kishte plan zbatimi. Me datë 20 janar 2023, emisarët që shoqëruan Lajçakun, amerikan, gjerman, francez, e italian, dhanë disa qëndrime. Ata më bënë të qartë se propozimi kryesor këtë herë është fare pranë merre ose lëre.” – deklaroi Kurti.

Marrëveshja ishte arritur më pas në shkurt, por pa nënshkrim. Një muaj më vonë, në Ohër, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar edhe për planin e zbatimit të marrëveshjes, por deri më tani, ka ngecje në të dyja këto “pajtime”, pasi që tensionet mes dy vendeve veç se janë rritur kohëve të fundit.

Ndryshe, në një akt terrorist, një formacion prej 30 personave të armatosur rëndë sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjska më 24 shtator. Nga ky sulm, një polic i Kosovës mbeti i vrarë e dy të tjerë të plagosur.

Autoritetet e Kosovës njoftuan vdekjen e tre terroristëve, më pas më 25 shtator u konfirmua se ishte zbuluar trupi i një sulmuesi të katërt. Gjashtë persona janë arrestuar po ashtu.

Tashmë është konfirmuar edhe se organizues i këtij grupi ka qenë Milan Radojiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe.

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024