OpEd
Në rrugën “Ismail Qemali” në Nju Jork
Demokracia
09:06 | 29 Dhjetor 2023

Share:

NGA MIMOZA DAJÇI 

Për të parë nga afër rrugën “Ismail Qemali” në Staten Island, në Nju Jork udhëtuam me anije mbi lumin Hudson. Megjithëse moti ishte me shi, udhëtimi shkoi mirë e u duk interesant. Jo larg nga Manhattan-i mund të shikoje Statujën e Lirisë. Në molin tjetër na priste patrioti dhe kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Staten Island”, Naser Nika, i cili është një ndër organizatorët kryesorë të emërimit të kësaj rruge me emrin e firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali.

Për këtë nismë të rëndësishme, z. Nika tha se një kontribut të veçantë ka dhënë edhe i biri i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Kosova, Shpëtim Qorraj dhe dr. Bahri Ceka. Më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, Nju Jork festoi emërimin e rrugës “Ismail Qemali”. Moment historik ky, në nderim të njërit prej udhëheqësve më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetarit të parë të shtetit shqiptar. Emërimi i kësaj rruge me emrin “Ismail Qemali” në Staten Island në Nju Jork shënoi njëherësh një sukses të veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Nju Jork.

Sipas z.Nika, në ceremoni morën pjesë kryetari i qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, kongresmenja Nicole Malliotakis, asambleistët Samuel Pirozzolo, David Carr, etj. Naser Nika, i cili njihet si një veprimtar i palodhur i komunitetit në SHBA, tha se në qershor të viti 2024 në Staten Island do të emërohet edhe një rrugë me emrin e Heroit të Popullit “Isa Boletini”, i cili megjithëse i sëmurë rëndë, duke mbajtur premtimin ndaj Plakut të Urtë së bashku me 400 luftëtarët e tij udhëtoi drejt Vlorës për të qenë i pranishëm në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për emërimin e rrugës “Ismail Qemali” dhe më pas për emërimin që do të kemi për rrugën “Isa Boletini”. Z. Naser Nika tha se kemi pasur bashkëpunim të mirë me dr. Bahri Ceka, anëtarët e Shoqatës ShqiptareAmerikane në Staten Island dhe mbështetjen e politikanëve të zonës. Emërtimi i rrugës “Ismail Qemali” pason me emërimin e disa rrugëve të tjera në SHBA, ku mund të përmendin rrugët “Nënë Tereza”, “Skënderbeu”, “Fan Noli”, të cilat u vendosën nën kujdesin dhe interesimin e disa përfaqësuesve të suksesshëm të komunitetit tonë në bashkëpunim të mirë me liderët e politikës amerikane, të cilët me arritjet e tyre në fusha të ndryshme të jetës, përkushtimit, kohës që japin në jetën sociale mes komuniteteve krijuan një imazh mjaft pozitiv edhe në arenën politike e vendimmarrëse në Amerikë.

Pasi asgjë nuk vjen si dhuratë nga qielli pa sakrificë e lodhje. Ne si diasporë duhet të ndihemi krenarë për këta njerëz të mirë e patriotë që shpenzojnë kohën e tyre të çmuar në dobi të çështjes kombëtare shqiptare e popullit amerikan. Njëherësh falënderojmë SHBA-të për mikpritjen, mbështetjen e vlerësimin që na kanë dhënë e kanë treguar historikisht ndaj shqiptarëve qysh në kohën e Presidentit Woodrow Wilson, Presidentit Klinton, Presidentit Bush, Presidentit Obama etj., ku mund të veçojmë përmbysjen e diktaturës komuniste më të egër në Shqipëri dhe Pavarësinë e Kosovës.

Të ngjashme