Lajme
Në rajon duhet të mos biem pre e konfrontimeve, thotë Rama
Demokracia
16:14 | 27 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një bisedë virtuale në Këshillin Atlantik, u shpreh se rajoni i Ballkanit ka ende probleme për të zgjidhur.

Kjo referuar çështjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Ramën, duhet që të mos bihet më pre e konfrontimeve dhe përshkallëzimeve, por të trefishohen përpjekjet për të normalizuar dhe bërë paqe.

E sa i takon kësaj çështje, ai përgëzoi Qeverinë e Kosovës qasjen e re duke pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasje i autoriteteve të Kosovës duke pranuar në parim asociacionin. Kryeministri dhe qeveria e Kosovës dëshmuan vullnet të rëndësishëm për të ecur para dhe kërkuar zgjidhje e jo alibi apo për të kërkuar të shkuarën në vend të së ardhmes”.

Sipas tij, në kontekstin më të gjerë, të agresionit rus në Ukrainë dhe luftën midis Izraelit dhe Hamasit, efektet mund të jenë edhe më negative.

Ai kërkoi njohje të plotë të Kosovës dhe një paqe përfundimtare.

Kryeministri u shpreh se ajo ç’ka ndodhi pak muaj më parë në Banjskë, ishte një shenjë shumë e fortë, dhe një kambanë e mirëfilltë alarmi.

“Përgjegjësia jo vetëm e personave të përfshirë, por edhe e Beogradit që nuk e dënoi, por shpalli ditë zie kombëtare në nder të këtyre kriminelëve. Edhe një herë, duhet të mos biem pre e konfrontimeve, përshkallëzimeve, por të trefishojmë përpjekjet për paqe”.

Gjatë intervistës së tij në Këshillin e Atlantikut, Rama foli edhe për procedurat e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ai u shpreh se nuk është i fiksuar me teknikalitetet dhe se 27 vende anëtare nuk bëhen gjithmonë bashkë për të marrë të njëjtin vendim

“Ka ndryshim të madh krahasuar me qëndrimin e BE-së, krahasuar me disa vite më parë”.

Kryeministri tha se ka qenë kritik ndaj qëndrimit dhe qasjes pasive të BE-së, por kjo ka ndryshuar, edhe nga agresioni rus.

“Kështu që ideja e rajonit si një pasuri shumë e rëndësishme për BE është bërë dhe me fakte. Tani jemi ndryshe dhe çdo gjë për Shqipërinë do të vijë me kohën”.

Rama u shpreh se nisma e Ballkanit të Hapur ka qenë kyçe dhe ka ndihmuar rajonin.

Por për të Ballkani i Hapur e ka përmbushur misionin e tij, dhe se Procesi i Berlinit ka njohur një rigjallërim.

Ndërkaq sa i takon marrëveshjesh për emigrantët me Italinë, komentet negative Rama i cilësoi si paragjykime që sipas tij bëhen për shkak se Shqipëria nuk është anëtare e BE.

“Është një qendër dhe një terminal pritjeje në kufi ku këta persona do regjistrohen së pari në momentin që hyjnë. Do ndërtohet bazuar në kriteret që Be ka hartuar për mënyrën si duhet të jenë këto qendra. Në të njëjtën kohë marrëveshja është 100% në kuadrin e kritereve të BE”.

Ai tha se i sheh komentet dhe kritikat me njëlloj keqardhjeje po nuk është se ka ndonjë rëndësi.

Të ngjashme