Lajme
“Në prag të përshkallëzimit të plotë” | Ndërkombëtarët e paraqesin si gjendje në prag lufte situatën e vitit të kaluar në veri
Demokracia
14:42 | 16 Mars 2023

Share:

“Përshkallëzim i plotë”, ishte togfjalëshi që përdori Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, për ta përshkruar rrezikshmërinë e situatës në zonën veriore të Kosovës në ngjarjet e vitit të kaluar, hapësirë kjo ku pati prezencë të forcave policore të Kosovës, e madje edhe banda kriminale. Një nga to ishte edhe grupi ‘Wagner’.

Në shkrimin editorial të publikuar përpara takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Ohër për planin evropian, Borrell përmendi edhe situatën në veri, të cilën e konsideroi të tensionuar, situatë krize e kërcënim dhune, shkruan Demokracia.com.

“Por në vend që të avancojmë në tablonë e përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve për ta bërë Evropën më të sigurt dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit, koha dhe energjia jonë u përthith nga menaxhimi i krizës, barrikadat dhe kërcënimet e dhunës me një afat pas tjetrit në gjysmën e dytë të 2022. Nuk ishte e lehtë të qetësohej situata dhe të shmangej një konflikt i plotë, por ia dolëm. Ky rreth vicioz krizash në prag të përshkallëzimit apo edhe dhunës duhej të ndalej”, deklaron Borrell në shkrimin e tij.

Me të njëjtin shqetësim kanë shkruar në editorialin e përbashkët edhe këshilltarët evropianë, Emmanuel Bone, Jens Plotner dhe Francesco Talo. Ata thanë se në fund të vitit 2022 panë “retorika nacionaliste” dhe i quajtën ngjarjet e asaj periudhe “një hap larg përshkallëzimit”.

“Pengesa më evidente është marrëdhënia e pazgjidhur mes Serbisë dhe Kosovës, e cila është gjithashtu një çështje e sigurisë evropiane. Ajo që dëshmuam në fund të vitit të kaluar na shqetësoi shumë. Bllokada, dhuna, kërcënimet dhe retorika nacionaliste e bënë të vështirë durimin e përditshmërisë së qytetarëve në veri të Kosovës”, shkruajnë ata.

“Duhet të përfundojë sepse investitorët nga vendet tona lexojnë lajmet dhe pyesin veten nëse ky rajon ia vlen investimet e tyre. Çfarë duhet t’u themi atyre nëse kërcënimi i një konflikti të ri po afrohet?”, vijon pjesa për përshkallëzimin e situatës në veri gjatë vitit të kaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në atë periudhë nuk i pritej as ndërhyrja e KFOR-it për ndërhyrje të largimit të barrikadave që ishin vendosur nëpër zonat që çonin në pikat kufitare me Serbinë. Kurti thoshte se nëse nuk ndërhyjnë KFOR-i, do të ndërhyjë ai me Policinë e Kosovës.

“Nga ana jonë është e mundur. Por ana tjetër është e panjohur për ne. Njerëzit janë me uniformë. Nuk e dini se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Unë di një gjë. Ata marrin direktiva nga Beogradi. Dhe ndërsa njerëzit ndryshojnë atje, është e qartë se ajo që është autonome dhe autentike nuk vjen nga vetë qytetarët”, deklaronte Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme