Lajme
Në Policinë e Kosovës punojnë 1 mijë e 350 pjesëtarë të komuniteteve pakicë
Demokracia
11:25 | 28 Maj 2022

Share:

Ndër vite, Policia e Kosovës është cilësuar njëri prej institucioneve më të besuara nga qytetarët.

Në shërbim ruajtjes së rendit dhe sigurisë janë mbi 9 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në përbërje të strukturës së Policisë janë edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.

Në një përgjigje për Demokracia.com, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbi 15 për qind e pjesëtarëve të saj janë nga komunitetet.

“Në Policinë e Kosovës janë diku mbi 84 % e punonjësve që i përkasin nacionalitetit shqiptar dhe mbi 15 % të nacionaliteteve tjera, si serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptas, goranë etj., apo në numër mbi 1.350 punonjës i përkasin etnive tjera”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com.

Gjithashtu, në këtë institucion bëjnë pjesë gjithsej edhe 1 mijë e 56 femra.

Për të qenë në shërbim të qytetarëve, Policia e Kosovës ka hapur konkurs për kadetë të rinj.

Ndërkaq, këtë vit, mbi 1 mijë policë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës. Derisa një numër prej tyre janë duke kërkuar punë edhe jashtë vendit. Paga e ulëta dhe kushtet jo të mira të punës janë disa nga arsyet pse ata po i braktisin vendet e tyre të punës.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës edhe pas 22 viteve vazhdojnë të mos e kenë të rregulluar Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

Pavarësisht rreziqeve që hasin thuajse çdo ditë, atyre u duhet që për çështjet shëndetësore të përkujdesen vetë./Demokracia.com/

Të ngjashme