Lajme
Në Onkologji mungojnë rreth 15 ilaçe për trajtimin e pacientëve me kancer, furnizimi s’pritet deri në 5 muaj
Demokracia
14:09 | 31 Tetor 2023

Share:

Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK mungojnë rreth 15 produkte për trajtimin e pacientëve me sëmundje të kancerit. Nga SHSKUK thonë se shumica e produkteve nuk kanë Autorizim Marketing çka e pamundëson blerjen përmes tenderit, ndërsa nga MSh kanë thënë se do të bëjnë zgjidhje përmes UNICEF-it

Në Klinikën e Onkologjisë ku trajtohen pacientët e prekur nga sëmundje të kancerit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po mungojnë rreth 15 ilaçe, shkruan Gazeta Shneta.

Gazeta ka marr informacione se produktet me të cilat kjo klinikë nuk është furnizuar janë: Ushqim enteral 200ml, Tableta Bicalutamide, Pantoprazol, Bleomicin, Calcium Folinat, Cyclophoshamide 500mg,1000mg, Erlotinib, Mesna 400 mg, Flouracil 500 mg, Ifosfamide 1OOOmg, Vinorelbin 1mg, Sunitinib, Irinotecan 100 mg, Cytarabin, Vincristin, Vinblastin, Methotrexate.

Menaxhmenti i SHSKUK-së i ka thënë Gazetës se klinika tanimë është furnizuar me ushqim enteral, ndërsa tri produktet tjera Bicalutamide ,Erlotinib dhe Sunitinib, pritet të bëhet furnizimi së shpejti.

Por jo kaq shpejt pritet të bëhet furnizimi edhe me produktet tjera të cilat mungojnë për shkak se nuk janë të regjistruara për Autorizim Marketing në Kosovë. E furnizimi pa AM është i pamundur përmes procedurave tenderuese për shkak të Udhëzimit Administrativ 01/2022 “Për thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Republikën e Kosovës”.

Ky UA i miratuar në janar të vitit 2022 rregullon procedurat për marrjen e Autorizim Marketingut të kufizuar për produktet medicinale që nuk kanë paralele të produkteve që mbajnë AM në Kosovë. UA e kufizon sasinë në tre mijë kuti me vlerë jo më të lartë se 50 mijë Euro brenda vitit për produktet që iu lëshohet AM i kufizuar. Autorizimi i kufizuar për Marketing lëshohet vetëm për një import.

Për shkak të këtyre procedurave, SHSKUK ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të gjej aleternativa tjera për furnizim me këto produkte.

“Sa i përket artikujve të tjerë, nuk posedojnë Certifikaten e Autorizim Marketingut. Bazuar në legjislacionin në fuqi posedimi i certifikates së AM është ndër kriteret kryesore për kontraktimin e këtyre produkteve. Për sigurimin e tyre janë duke u shqyrtuar mundësitë alternative në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë”, kanë deklaruar nga SHSKUK.

E nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se furnizimi me këto produkte do të bëhet përmes UNICEF-it. Për këtë tashmë është bërë edhe një parapagesë.

“Lidhur me produktet e kërkuara, MSh ka bërë parapagesën ndaj UNICEF të CE për të siguruar këto produkte në bazë të marrëveshjes që kemi me UNICEF, andaj jemi në pritje të liferimit të porosisë në afat sa më të shpejt. Sipas komunikimeve te zhvilluara me përfaqësuesit e UNICEF-it, për shkak të procedurave që duhen zhvilluar, liferimi i këtyre produkteve mund të zgjas 4 – 5 muaj”, kanë deklaruar nga MSh.

Nga kjo ministri i kanë thënë Gazetës poashtu se SHSKUK nuk ka bërë kërkesë për tri produkte.

“Sa i përket produkteve  IRINOTECAN 100 mg, Pantoprazol, Cytarabin, ju informojmë se MSh nuk i ka të listuara si kërkesë nga SHSKUK”, thuhet në përgjigjet e MSh-së.

SHSKUK nuk i ka treguar Gazetës se sa është përqindja e furnizimit me barna në Onkologji dhe në përgjithësi në të gjitha njësitë e këtij institucioni.

Mungesa e furnizimit me barna është një nga problemet që po e përcjellin shëndetësinë tash e sa vite. Mungesa e ilaçeve po vazhdon ndonëse Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për barna në 60 milionë Euro. Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia disa herë e ka potencuar se rritja e buxhetit për barna ka qenë prioritet për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh. /Gazeta Shneta/

Të ngjashme