Lajme
Në Kosovë shiten lirshëm, Evropa largon nga tregjet vezët “Kinder Surprise”
Demokracia
13:59 | 05 Prill 2022

Share:

Agjencia për Standardin Ushqimor (FSA) në Mbretërinë e Bashkuar ka tërhequr një sasi të konsiderueshme të vezëve të famshme “Kinder Surprise” të kompanisë Ferrero, pasi që ato kanë rezultuar të kenë gjurmë të bakterit vdekjeprurës Salmonela, shkruan Demorkacia.com.

Madje, prodhuesit e këtyre çokolatave kanë njoftuar se kanë hequr nga tregu paketime të tëra me vezë me peshë 20 gramë, me datat e skadencës nga 11 korriku deri më 7 tetor të vitit 2022.

Nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, autoritet ky që kontrollon produktet ushqimore, nuk kanë dhënë asnjë sqarim  për Demokracia.com lidhur me vezët “Kinder Surprise” në tregun tonë.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në adresë të këtij institucioni, por deri në publikimin e këtij lajmi, AUV-ja s’ka kthyer përgjigje dhe as nuk ka dalë me një njoftim për rrezikun që mund t’iu kanoset veçanërisht fëmijëve.

Neni 8 i Ligjit për Ushqimit obligon Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që t’i informojë qytetarët për çdo rrezik që paraqitet në ndonjë ushqim që konsumojnë.

“Nëse ekziston dyshimi i bazuar se ushqimi për njerëz apo ushqimi për kafshë mund të paraqes rrezik për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve, varësisht nga natyra, serioziteti dhe vëllimi i rrezikut, Agjencia merr masat për informim e opinionit publik mbi natyrën e rrezikut për shëndetin”, thuhet pos tjerash në këtë ligj, përcjell Demokracia.com.

Përkundër që masat për largimin e këtyre vezëve janë marrë nga vendet e BE-së, nëpër markete të Kosovës vazhdojnë të shiten pa kurrfarë kontrolli.

Nga konsumimi i çokolatave “Kinder Surprise” në Evropë janë infektuar të paktën 63 persona të cilët kanë rezultuar me bakterin e rrezikshëm të Salmonelës.

Mediat evropiane kanë raportuar se shumica e të infektuarave janë nën moshën 5 vjeçare, ndërsa ka edhe të tjerë më të rritur. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 16 Qershor 2024